Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar edhe zyrtarisht rikandidimin e tij për një mandat të dytë në krye të qytetit. Në postimin e tij në Facebook, ai theksoi se mandati i parë ishte periudha e shpëtimit të Tetovës nga degradimi i trashëguar, ndërsa mandati i dytë do të jetës i ndërtimit sipas vizionit të përbashkët me qytetarët.
Kasami kujtoi se në vitin 2021 mori një komunë të zhytur në borxhe, me administratë të paralizuar, jetë publike të shuar dhe infrastrukturë të rrënuar, por me angazhim dhe punë të përbashkët, u kthye funksionaliteti dhe u hodhën bazat për zhvillim.
“Tetova Evropiane është ëndrra jonë. Themelin e saj e vendosëm në vitet 2021–2025. Tani është koha për ndërtimin e saj të plotë në periudhën 2025–2029,” shkruan Kasami.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që edhe një herë të bashkohen për t’i dhënë hov zhvillimit të Tetovës, duke theksuar se amaneti për qytetin nuk guxon të kthehet në duart që e lanë në rrënim.
“Në mandatin e parë e shpëtuam Tetovën, në mandatin e dytë do ta ndërtojmë atë”, thotë Kasami.
tag_katrorimaqedoni_2