Më 19 qershor nga ora 19:00 organizohet bashkëbisedim i radhës në vazhdën e programit “Në bisedë” organizuar nga ChwB Kosova, me shkrimtaren Adania Shibli. Asaj do t’i bashkohet studiuesja letrare, Diona Budima, në një bisedë mbi detajet dytësore të historisë, limitet e narrativave të mëdha, dhe mbi të pamatshmen ndërmjet përvojës së subjekteve të kolonizuar dhe kufijve të arkivit.
Diskutimi do të përqendrohet në romanin e Shiblit Minor Detail [Një detaj dytësor], përkthimi i të cilit në anglisht nga Elisabeth Jaquette ishte në listë për National Book Award for Translated Literature në vitin 2020 dhe International Booker Prize në vitin 2021. Një detaj dytësor është përkthyer rishtazi në shqip nga Isa Memishi dhe botuar nga Botimet Dudaj (Tiranë). Ngjarja do të shërbejë gjithashtu edhe si promovim i përkthimit në shqip dhe diskutimi do të pasohet nga një seancë autografesh me autoren.
Adania Shibli është shkrimtare e romaneve, tregimeve të shkurtra, dramave dhe eseve. Dy romanet e saj të para janë botuar në anglisht si Touch (përkth. Paula Haydar, 2010) dhe We Are All Equally Far From Love (përkth. Paul Starkey, 2012). Ajo është shpërblyer me Young Writer’s Award nga A. M. Qattan Foundation në vitet 2002 dhe 2004. Romani i saj i fundit, Minor Detail, i përkthyer në anglisht nga Elisabeth Jacquette, ishte në listë për National Book Award for Translated Literature në vitin 2020 dhe International Booker Prize në vitin 2021.
Diona Budima është hulumtuese, shkrimtare dhe redaktore, puna e së cilës shtrihet në ndërthurjen mes letërsisë krahasuese, teorisë kritike dhe psikanalizës. Së fundmi, puna e saj kërkimore është përqendruar te Floberi dhe transformimet e nocionit të shkrimit në realizmin francez të shekullit të 19-të. Diona jeton në Prishtinë.
Ky projekt është realizuar si pjesë e platformës Heritage Space, e implementuar nga CHwB Kosova dhe financuar nga Qeveria Suedeze.
Ngjarja mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...