string(128) "presidenti-begaj-pret-kryetaren-e-kuvendit-te-bullgarise-forcojme-bashkepunimin-dypalesh-dhe-mbeshtetjen-per-integrimin-evropian"

Shqiperi

Gazeta Express

10/06/2025 13:09

Presidenti Begaj pret Kryetaren e Kuvendit të Bullgarisë: Forcojmë bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen për integrimin evropian

Shqiperi

Gazeta Express

10/06/2025 13:09

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Vasileva Kiselova.

Gjatë bisedës, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Presidenti Begaj e cilësoi këtë marrëdhënie si të ndërtuar mbi miqësinë tradicionale dhe lidhjet historike, kulturore e ndërnjerëzore që bashkojnë dy popujt.

Ai nënvizoi gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar më ngushtësisht me Bullgarinë, si në planin dypalësh ashtu edhe në kuadër të forumeve shumëpalëshe.

Duke iu referuar fushës ekonomike, Kreu i Shtetit theksoi nevojën për të rikthyer në nivele më të larta shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, duke përkujtuar periudhën e fillimviteve ’90 kur këto shkëmbime ishin më të zhvilluara.

Presidenti falënderoi gjithashtu Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e konsideruar këtë mbështetje si një shtysë të rëndësishme për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe synimin për anëtarësim të plotë në vitin 2030.

Në aspektin e sigurisë, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe përmendi prezencën e trupave shqiptare në bazën ushtarake të Novo Selos në Bullgari si një tregues konkret të bashkëpunimit.

Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII dhe portit të Durrësit, duke e cilësuar këtë projekt si thelbësor për lidhjen rajonale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e konkurrueshmërisë ekonomike në Ballkan.