Bekim Balaj ka kaluar shumë vite në radhët e Kombëtares shqiptare të futbollit, duke qenë protagonist i saj edhe me gola shumë të rëndësishëm si ai ndaj Portugalisë. Por në mendjen e njerëzve do të mbetet sidomos “lufta për flamur” në Beograd, ku Balaj ishte ndër të parët që mori flamurin e “Autochthonous” nga duart e futbollistëve serb.
Një moment i paharrueshëm për shumëkënd për mënyrën se si futbollistët shqiptarë bënë gjithçka për të mbrojtur simbolet shqiptare, siç e kujton vetë Bekim Balaj, në prag të një tjetër ndeshjeje mes Shqipërisë dhe Serbisë.
“Është një ndeshje që gdhendet dhe mbetet në memorien e të gjithëve, mund të them për rrethanat që ishin dhe në atë ndeshje djemtë të gjithë bënë maksimumin. Edhe pse të paktë në numër që ishim, nuk na mungoi asgjë për të ruajtur simbolet tona”, tha Balaj pas një takimi motivues në Shkodër me të rinjtë, në kuadër të Iniciativës “Ta tham n’Shkodër”.
Megjithatë, Balaj shpreson që në ndeshjen e së shtunës, mendja të jetë vetëm te futbolli në fushën e lojës.
“Ndoshta në këtë moment jemi në një situatë ndryshe, kjo ndeshje është madhore për objektivat që kemi ne, pasi Serbinë mund ta shohim si kundërshtarin direkt për një kualifikim të mundshëm në një Botëror. Një ëndërr për të gjithë shqiptarët që besoj se ky grup ka forcën ta bëjë realitet. Dhe nisur nga kjo ndeshje në Tiranë, mendoj se djemtë duhet të ruajnë qetësinë, duhet të jenë gjakftohte dhe ndoshta të mos i marrë me vete ajo atmosfera në shkallët e stadiumit pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Shpresoj që të jenë gjakftohtë dhe të bëjnë më të mirën e mundshme në fushën e lojës dhe të arrijmë të dalim me një fitore që do të na vlente shumë”, tha sulmuesi shkodran.
aaaaa