Shkruan: Mal Berisha
BËJENI PËR HIR TË KOSOVËS!
LETËR E HAPUR DREJTUAR PARLAMËNTARËVE TË KOSOVËS
JO MË 48 ORË!
Parlamentarë të Kosovës!
Po ju drejtohem me një zë të mekur, por me një shpirt të mbushur me dashuri të pakushtëzuar për Kosovën. Po ju flas si një ndër shtetasit më të vonshëm të Republikës së Kosovës, me rrënjë në Malësinë e Gjakovës dhe me zemrën gjithmonë atje.
Jo për hatrin tim.
As për zërin tim, më të pa-pushtetshmin e më të pa-ndikueshmin zë!
Por për hir të atyre që nuk flasin më, por që na kanë lënë një amanet të përjetshëm.
Për hir të brezave që e patën Kosovën ëndrrën e tyre më të madhe, dritën e jetës së tyre.
Për ata që ëndërruan një Shqipëri dhe një Kosovë të bashkuara në liri, demokraci dhe dinjitet.
Për ata që u martirizuan duke mbrojtur tokën e saj të bekuar.
Për qindra mijëra të vrarë nga shovinizmi serb dhe regjimi komunist jugosllav, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Për të burgosurit politikë që u kalbën në qelitë e Goli Otokut.
Për më shumë se 13.000 shqiptarë të vrarë gjatë luftës së fundit.
Për mbi 20.000 gra dhe vajza që përjetuan të pa-thënshmen, të pa-tregueshmen.
Për hir të Reçakut dhe Prekazit, që u bënë altarë të shenjtë të lirisë.
Për një milion shqiptarët e dëbuar me dhunë, që falë miqve tanë perëndimorë u kthyen sërish në tokën e tyre, pasi Serbia u dëbua me forcë nga Kosova.
Për emigrantët që lanë familjet, shkuan në Perëndim dhe punuan punët më të rënda për të mbajtur gjallë Kosovën.
Për shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës që dhanë gjithçka për lirinë tuaj.
Për patriotët që u vranë sepse besuan në idealin e shtetformimit të Dr. Ibrahim Rugovës.
Për hir të Adem Jasharit, që dha jetën e tij dhe të gjithë familjen së tij për Kosovën.
Për heronjtë dhe dëshmorët e UÇK-së dhe për familjet që jetojnë me boshllëkun e përjetshëm.
Për miqtë ndërkombëtarë që investuan shpresë, para, ushtri dhe mbështetje për të çliruar dhe ndërtuar shtetin demokratik të Kosovës.
Për hir të Kosovës – që nuk është pronë personale e asnjërit prej Jush, (në çfarëdo pozite që të jeni sot), por është amanet kombëtar, që duhet ruajtur si sytë e ballit.
Për hir të të gjithë këtyre gjërave që rendita më lart – ndalojeni këtë farsë politike!
• Mos lejoni që dështimi i njëzetenjëtë i Kuvendit të Kosovës të bëhet simbol i paaftësisë suaj.
• Mos u bëni qesharakë para botës, duke regjistruar një rekord turpi në historinë e parlamentarizmit.
• Mos e ktheni çdo 48 orë në përsëritje këtë farse të padenjë!
• Mos e kërkoni fajin te njëri-tjetri – kërkojeni te vetja.
Për këtë jeni aty: për të marrë përsipër përgjegjësi, dhe jo për të ia hedhur fajin kundërshtarit politik.
• Mos e bëni botën të besojë se Ju nuk jeni të zotë të qeverisni.
• Mos i vërtetoni tezat më armiqësore e më shoviniste anti-shqiptare.
• Mos e bëni popullin tuaj të besojë në atë se Ju nuk keni vizion për shtetin që Ju dhe para-ardhësit tuaj e ndërtuat së bashku me aleatët.
• Mos e lejoni që historia në të ardhmën të shkruaj, se ishit Ju ata që nuk qetë të denjë për sakrificën që bënë të parët e këtij vendi për brezin tuaj.
• Mos i ia bëni qejfin armikut inatet e përçarjet tuaja të anti-kombëtare ; Ai po ju vëzhgon dhe mezi pret t’ju godasë pikërisht kur Ju jeni më të dobët.
Ju nuk jeni aty për të shkatërruar njëri-tjetrin.
• Ju jeni aty për të ndërtuar bashkë një Kosovë të fortë, demokratike, dinjitoze.
• Ju jeni aty për të përfaqësuar popullin – jo për të zhgënjyer ata që ju besuan.
• Ju jeni aty për t’i bërë ballë Serbisë, e cila po ndjek me vëmëndje çdo lëvizje tuajën të gabuar, dhe po kënaqet,.E madje ajo edhe po përkëdhelet nga Evropa. Mos harroni asnjë çast se Serbia është dora e zgjatur e Rusisë që ka destabilizuar mbarë kontinentin.
Kështu pra, për hir të gjithë këtyre gjërave që thashë më lart – mos e çoni dëm këtë amanet! Kjo, pasi ky është amaneti i atyre që ju kanë votuar, është amaneti i atyre që sakrifikuan jetën për Kosovën, është amaneti i brezave që do vijnë të cilët e meritojnë një Kosove demokratike, një Kosovë evropjane dhe të begatë.
• Për hir të Kosovës – merruni vesh!
• Për hir të së ardhmes – tregoni përgjegjësi!
No more 48 hours.
No more 21 failed parliamentary sessions.
No more shame!
Vetëm dinjitet për Kosovën!