string(50) "te-pakten-60-te-vrare-nga-sulmet-izraelite-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 19:51

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 19:51

Të paktën 60 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, njoftoi të premten Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Izraeli është duke e vazhduar ofensivën e tij ushtarake dhe deri tani ka lejuar ndihmë minimale të hyjë në territorin palestinez.

Dhjetë njerëz u vranë në qytetin jugor Han Junis, katër në qytetin qendror Deir al-Balah dhe nëntë në kampin e refugjatëve Xhabalia në veri, sipas spitaleve Nasser, Al-Aqsa dhe Al-Ahli, ku u sollën trupat.

Izraeli po përballet me kritika të shtuara ndërkombëtare për ofensivën dhe me trysni për të lejuar ndihma humanitare në Gazë, për shkak të krizës së madhe të urisë.

Gaza ka qenë nën bllokadën izraelite për gati tre muaj, dhe ekspertët paralajmërojnë se shumë nga 2 milionë banorët e saj janë në rrezik të madh urie të skajshme.

Edhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të mëdhenj të Izraelit, kanë shprehur shqetësime për krizën e urisë.

Sulmet që vazhduan deri në mëngjesin e së premtes erdhën një ditë pasi tanket dhe dronët izraelitë sulmuan një spital në Gazën veriore, duke shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha, thanë zyrtarët palestinezë të enjten.

Izraeli ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë sulmet derisa Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – t’i lirojë të gjithë 58 pengjet izraelite të mbetura dhe të çarmatoset.

Më pak se gjysma e pengjeve që ndodhen ende në Gazë besohet se janë gjallë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të mërkurën se Izraeli do të ishte i hapur për armëpushim të përkohshëm për ta mundësuar kthimin e pengjeve izraelite nga Gaza.

Por, ai tha se, nëse ato nuk kthehen, Izraeli do ta vazhdojë fushatën ushtarake për ta marrë kontrollin e plotë të Gazës.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL