Prishtina dhe Llapi do ta zhvillojnë sonte ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Dy rivalët e moçëm do të përballen mes vete në finale të Kupës së Kosovës, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan “Gazeta Express”.
Përpos prestigjit që e ka ky trofe, Kupa për të dyja ekipet ka domethënie të madhe pasi fituesi i duelit të sontëm do ta sigurojë njëherësh edhe kualifikimin në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Gjithashtu, do të ishte një ngushëllim për sezonin dëshpërues që e patën në Superligë të dy ekipet.
Kryeqytetasit e siguruan mbijetesën vetëm në javën e kaluar, ndërsa llapjanët janë ende të rrezikuar për të rënë nga liga, apo eventualisht mund të përfundojnë në barazh nëse e mundin Dukagjinin të dielën.
Prishtina e ka fituar tetë herë trofeun e Kupës së Kosovës, ndërsa Llapi i Tahir Batatinës e ka bërë një gjë të tillë dy herë.
Ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll mes Prishtinës dhe Llapit do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet duke filluar nga ora 20:00. /Gazeta Express