Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka nisur një proces të brendshëm analize pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Meta bëri të ditur se ka firmosur një urdhër për analizimin e hollësishëm të performancës elektorale në çdo Njësi Administrative dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë.
Postimi i Metës:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore.