Një histori që i ngjan filmave tronditës të mbijetesës ka ndodhur mbi fshatin Bijela, afër komunës së Shavnikut në Mal të Zi. Bogdan Rajoviq, 62-vjeçar, ka mbijetuar për mrekulli kur me automjetin e tij doli nga rruga dhe përfundoi në buzë të një humnerë të thellë 300 metra.
Skena e ngjarjes është aq e tmerrshme sa vetëm mendimi për të të ngrin gjakun – e aq më shumë për dikë që e përjetoi. Automjeti ndaloi në skajin e shkëmbit, ndërsa Bogdani u hodh jashtë makinës dhe për pak sa nuk ra në humnerë. Mrekullisht, ai u kap për dy degë të holla, të cilat i shpëtuan jetën. I qëndroi i varur aty për orë të tëra, i lënduar rëndë, por i vendosur të mos dorëzohej.
“I pashë kur u nis me makinë, por nuk më tha që do të shkonte diku larg, ndaj mendova se ishte tek ndonjë fqinj. Nuk e kishte marrë as telefonin me vete. Kaluan orë dhe nuk po kthehej, atëherë filluam ta kërkojmë. Kur gjetëm makinën e tij të rrëzuar dhe më pas edhe atë nëpër shkëmbinj, mezi e besuam që ishte gjallë. Është një mrekulli e vërtetë e Zotit që shpëtoi,” – rrëfen për agjencinë RINA bashkëshortja e tij, Darka Rajoviq. Ajo shton se Bogdani është një njeri i dobët dhe vital, i mësuar me punë të rënda në bujqësi, gjë që ndoshta e ndihmoi të përballojë këtë provë të jetës.
Operacioni i shpëtimit zgjati me orë të tëra dhe u realizua në kushte jashtëzakonisht të rënda nga ekipet e shpëtimit të komunës së SHavnikut, të cilëve iu bashkuan edhe kolegë nga Nikshiqi.
“Nuk kemi parë ndonjëherë diçka të tillë në gjithë përvojën tonë. U përdorën litarë, sajla, gjithçka që kishim në dispozicion. Tereni ishte i pakalueshëm dhe çdo hap i yni ishte me rrezik jete. Kur e nxorëm, ishte i ngrirë dhe i rraskapitur. Menjëherë u dërgua në spitalin e Nikshiqit me ambulancë,” – tha Goran Jankoviq, komandanti i Shërbimit të Shpëtimit në Shavnik.
Bogdan Rajoviq, i cili ka pësuar fraktura në brinjë dhe në shtyllën kurrizore, ndodhet në gjendje stabile dhe familja e pret me padurim kthimin në shtëpi.
Kjo ngjarje ka lënë të tronditur të gjithë banorët e zonës dhe ata që njohin terrenin. Pika ku ndodhi aksidenti njihet si një nga më të rrezikshmet në Mal të Zi dhe aty është vendosur edhe një kryq për të “mbrojtur” udhëtarët. Askush nuk e kishte imagjinuar se në afërsi të atij vendi do të ndodhte një çudi e tillë që, me të drejtë, mund të konsiderohet si “rilindja e dytë” e Bogdanit.