string(60) "presidenca-e-kosoves-reagon-ndaj-vizites-se-vuciqit-ne-moske"

Lajme

Gazeta Express

08/05/2025 7:03

​Presidenca e Kosovës reagon ndaj vizitës së Vuçiqit në Moskë

Lajme

Gazeta Express

08/05/2025 7:03

Zyra e Presidentes së Kosovës ka reaguar ndaj vizitës së kreut të shtetit serb në Moskë, pavarësisht thirrjeve kundërshtuese evropiane, duke thënë se Aleksandar Vuçiq konfirmon jo vetëm afërsinë ideologjike të tij me një regjim autokratik si ai i Putin, por edhe orientimin e Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike.

Presidenti serb ka udhëtuar sot në Moskë përmes Baku-Azerbajxhan, pasi Lituania ka mbyllur kufijtë ajrorë për shkak të luftës në Ukrainë, për të qenë pjesë e Paradës së Fitores më 9 maj.

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina tha për kp se vizita e Vuçiq në Moskë është tregues i qartë se kreu i shtetit serb do të vazhdojë me veprime destabilizimi kundër rajonit tonë, me bekimin e Kremlinit.

“Vizita e ish-ministrit të Millosheviq, Vuçiq në Moskë, konfirmon jo vetëm afërsinë ideologjike të tij me një regjim autokratik e agresor si ai i Putin, por edhe orientimin e Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike. Po ashtu, është tregues se Vuçiq do të vazhdojë veprimet destabilizuese kundër rajonit tonë, me bekimin e Moskës”, tha Kupina.

Ai shton se kjo vizitë le të shërbejë si një kambanë alarmi edhe për të gjithë ata përfaqësues evropian, të cilët mbështesin pakusht Vuçiq me shpresën se ai do të kthehet kah Perëndimi.

“Vuçiq në Moskë e në shërbim të plotë të Putin është edhe rezultat i politikave akomoduese, të cilat i përdorin shumë politikanë perëndimor ndaj tij, duke injoruar veprimet e tij destabilizuese ndaj fqinjëve, të cilat i ngjajnë atyre të viteve të 90-ta”, ka thënë Kupina.

Vuçiq së fundi dështoi të takojë presidentin e SHBA-së Donald Trump ditë më herët në Florida, pasi atij iu ndalua hyrja në kompleksin në Florida nga shefi i kabinetit Trump. Kreu i shtetit serb më pas u tha se u sëmurë dhe u shtri në një spital ushtarak në Beograd dhe mjekët e tij thanë se gjendja e tij është stabile.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës, duke u bërë vendi i dytë evropian që bënë një gjë të tillë, duke përfshirë Bjellorusinë – një vend kukull i Kremlinit.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vendeve të saja anëtare, por edhe atyre kandidate për familjen e madhe evropiane që të bojkotojnë kremtimin e Ditës së Fitores në Moskë, për shkak të pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.