Berisha: SPAK pa asnjë lloj kontrolli, duhet të ketë sipas Kushtetutës si gjithë institucionet - Gazeta Express
string(92) "berisha-spak-pa-asnje-lloj-kontrolli-duhet-te-kete-sipas-kushtetutes-si-gjithe-institucionet"

Shqiperi

Gazeta Express

28/02/2025 15:08

Berisha: SPAK pa asnjë lloj kontrolli, duhet të ketë sipas Kushtetutës si gjithë institucionet

Shqiperi

Gazeta Express

28/02/2025 15:08

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se për PD-në, zbatimi i ligjit dhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten objektiva të pandryshueshme.

I pyetur në konferencën e përjavshme për mediet nga selia e PD-së, Berisha tha se Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë drejtësi politike.

“Drejtësi politike që është produkt i ndërhyrjes brutale të Edi Ramës dhe Departamentit të Shtetit të mëparshëm. Duhet pranuar se diplomatë të lartë amerikanë si Gabriel Eskobar dhe Juri Kim kanë kërkuar publikisht persekutimin e Sali Berishës dhe burgosjen e tij. Kështu që a pajtohem unë me një prokurori politike? Kurrë”, tha kreu i PD.

Sepse, shtoi ai, “të pajtohesh me një prokurori politike do të thotë të pajtohesh me diktaturën. Ajo nuk mund të ndodhë”.

Berisha u shpreh se rruga është reformimi, që sipas tij, nuk mund të bëhet pa ekspertizën më të mirë të Komisionit të Venecias, komision që është ligjhartuesi më i mirë që ekziston.

Berisha u shpreh se nuk pranon një institucion si SPAK-u, pa kontroll.

“Unë nuk pranoj një institucion që nuk ka asnjë lloj kontrolli. Ai institucion është pa kontroll. Ky institucion me Kushtetutë duhet të ketë kontroll si çdo institucion tjetër”, tha Berisha.

“Nuk mund të pranoj që ky institucion të regjistrojë telefonat e gjykatësve ku çon dosjet. Kjo nuk shkon. Unë e kuptoj që duhet të ketë institucion që duhet të regjistrojë telefonat, por ama kjo përbën një konflikt absolut interesi. Dhe u garantoj që çdo person që ka njohuritë më elementare të funksionimit të sistemit të drejtësisë, këtë e quan të papranueshme”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se, “do punohet me ekspertët më të mirë për të rivendosur standardet ndërkombëtare në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

“Nuk ka asnjë lloj qëndrimi hakmarrës apo qëndrimi asgjësues përveç asaj që një prokurori politike nuk mund të pranohet kurrë se ajo është të pranosh diktaturën. Nëse ti arreston tre liderët e tre partive kryesore opozitare, me një fjalë, kjo merr fund”, tha Berisha, duke shtuar se nuk do të bashkojë votat me PS-në.

“Ta harrojë Edi Rama se mund të bashkojë vota për qëllime të tij, për të mbrojtur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek negociatat me forcat politike për zgjedhjet parlamentare që sipas tij, janë në vazhdim..

“Negociatat janë në vazhdim me forcat e tjera politike. Nuk kam tagër të komentoj negociata në zhvillim. Ne jemi të hapur për negociata me të gjitha forcat politike. Edhe me partitë e reja dhe uroj që t’i realizojmë ato”, tha ai.