Në “Favorit” diskutohet për eksperiencën e re të Shefki Kuqit në Kosovë dhe për gjasat e Feronikelit 74 - Gazeta Express
string(101) "ne-favorit-diskutohet-per-eksperiencen-e-re-te-shefki-kuqit-ne-kosove-dhe-per-gjasat-e-feronikelit-74"

Futboll

Gazeta Express

05/02/2024 11:39

Në “Favorit” diskutohet për eksperiencën e re të Shefki Kuqit në Kosovë dhe për gjasat e Feronikelit 74

Futboll

Gazeta Express

05/02/2024 11:39

Në emisionin sportiv “Favorit” në T7 mbrëmë janë prekur tema të ndryshme të futbollit kosovar, atij të huaj, legjionarët etj.

E ndër temat që u përmendën në “Favorit” ishte edhe Feronikeli 74, të cilin pak javë më parë e mori në dorë trajneri Shefki Kuqi.

Ish-futbollisti i njohur kosovar e nisi me humbje eksperiencën në Drenas pasi u eliminua nga Kupa e Kosovës pasi u mposht nga Malisheva.

Granit Begolli e kaloi një periudhë në këtë klub dhe ai e njeh më së miri gjendjen aty, shkruan “Gazeta Express”.

Analisti i “Favoritit” shpreson që nën drejtimin e Kuqit, “Nikli” t’ia dalë të mbetet në Superligë dhe më pas të synojë gjëra të mëdha në sezonet e ardhshëm.

“Një është e sigurt se Feronikeli është një klub mirë i organizuar dhe ka edhe stabilitet financiar, ka edhe kushte për punë, por ka edhe njerëz që të lënë të punosh dhe i ke duart e lira për ta bërë më të mirën ti si trajner aty. Unë për këtë jam i sigurt sepse kam punuar një vit atje dhe e di se si frymon ekipi atje.”

“Sigurisht që nuk është një start i mirë për trajnerin, por kjo don kohë për shkak se është një ndryshim i mentalitetit dhe i mënyrës së lojës. Zëvendësimet që janë bërë në janar, trajneri ka pasur ndoshta pak kohë përmes miqësoreve që ta shohë formën optimale të skuadrës. Ndoshta edhe Feronikeli nuk ka objektiv ta ndjek Kupën për shkak se objektivi primar i skuadrës është që ta sigurojë ekzistencën këtë sezon e më pas të stabilizohet.”

“Kam informacione që sivjet skuadra të tentojë të stabilizohet në Superligë dhe ndërkohë të mundohet të përforcohet dhe ta kthejë namin e Feronikelit të dikurshëm. Uroj dhe shpresoj që trajneri ta gjejë formën më të mirë dhe Feronikeli ta ketë një stabilitet në kampionat sepse primar do ta ketë kampionatin dhe të mos e diskutojë ekzistencën në Superligën e Kosovës.”

Ndërkohë, trajneri i ri kosovar, Muhamet Dragusha, i ftuar në “Favorit” u shpreh skeptik me arritjen e ish-futbollistit të Premierligës dhe të Kombëtares së Finlandës.

“Muja” thotë se për Kuqin do të jetë një punë mjaft e vështirë pasi e gjen ekipin në gjendje jo fort të mirë në tabelë dhe me ekip jo kushedi sa cilësor.

“Është një thikë me dy teha mund të them. Unë jam pak skeptik me ardhjen e tij, jo për karrierën e tij asnjëherë, por si trajner. Është ndoshta hera e dytë që bëhet trajner, një herë kish qenë në Finlandë dhe atje nuk i ka shkuar qysh ka dashur, nuk i ka shkuar në mënyrën më të mirë. Tash ka ardhur te Feronikeli.”

“Pse e thash thikë me dy teha, pasi e dimë se në çfarë pozite gjendet Feronikeli dhe nuk ka ekip shumë të mirë. Për atë po e them se mund të jetë problematikë për të. Por, ky është ai që ka vendos dhe ky i merr ato vendimet, ndoshta edhe përvoja që i duhet. Ekipin nuk e njeh mirë, futbollin e Kosovës nuk e njeh mirë, e këto mund t’i kushtojnë pastaj. Sot me këtë humbje nuk besoj që është pasqyra reale e ekipit, por duhet ta theksojmë se Feronikeli është njëra prej skuadrave më të mira, është kampion dy herë brenda këtyre 10 vjetëve, është një klub shumë i madh.”

“Mua më pëlqen, është klub mjaft simpatik. Trajnerit i uroj suksese dhe dëshiroj që t’i arrijë objektivat, por me të vërtetë mund të ketë dhe të hasë në probleme pasi e dimë që barazhi apo ‘play-out’ mund të jetë i vështirë. E pamë vitin e kaluar se çka ka ndodhur. Nuk ka ekipe të dobëta, shpresoj që këta t’i arrijnë objektivat më herët dhe trajneri ta ketë një vazhdimësi të mirë.”

Të vështirë punën e Kuqit në Drenas e sheh edhe Tahir Lushtaku, një tjetër i ftuar në “Favorit”.

Trajneri drenicas thotë se trajnerin e ri e pret një ambient krejt i ri, në krahasim me ata që është mësuar t’i shohë në Angli e në Finlandë.

“Gjithmonë duhet të flasim dhe të bazohemi nga ato që janë zyrtare, nuk e di realisht se si ka ndodhur. Por, po shihet që ka probleme të rezultateve Feronikeli. Sa kam informata, obligimet dhe borxhet që i ka pasur shumë vitin e kaluar ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, sa kam dëgjuar i ka paguar. Por, i mbetet punë e madhe.”

“Tashmë edhe ardhja e Shefki Kuqit,  në një ambient dhe një mjedis krejt tjetër në krahasim me karrierën që e ka pasur si futbollist në kohën më të madhe në Angli dhe një kohë të shkurtër në një skuadër në Finlandë. Do të jetë e vështirë, kryesisht është një situatë që me të vërtetë do të ketë punë të vështirë që ta arrijë ta mbajë Feronikelin në Superligë apo t’i ikën barazhit, edhe pse është shtatë pikë më shumë se vendi i parafundit.” /Gazeta Express/