Një situatë problematike është krijuar në disa fshatra të bashkisë Maliq, ku për shkak të reshjeve të dendura të shiut uji ka vërshuar gjithandej, duke shkatërruar disa rrugë.
Bëhet me dije se disa rrugë janë shkatërruar, disa varreza janë përmbytur, si dhe ujësjellësi ka dalë jashtë funksionit në fshatin Zemblak.
Në fshatin me 1600 banorë ka dëme të mëdha në orendi shtëpiake, ushqimin i bagëtive dhe të mbjellat në ara.
“Më ngordhën pulat dhe dy shqerra u mbytën në ujë. Prurjet e mëdha nga përrenj dolën në fushë. Me qepë me fasule çdo gjë në ara është prishur. Deri në 01:00 pas mesnate kemi ndenjur jashtë. Jemi përpjekur të shpëtojmë plaçkat e shtëpisë, por sërish nuk arritëm. Kemi shumë dëme në shtëpi, në oborre, është shkatërruar çdo gjë”, thanë banorët të shqetësuar.
Banorët kanë bërë fajtore Bashkinë dhe Pyjorjen pasi nuk bënë pritat malore për përrenjtë ,si dhe nuk kanë pastruar kanalet kulluese.
“Po të ishin pritat në male nuk do ishte bërë kjo përmbytje”, ka thënë një nga banorët.
Ndërsa kryebashkiaku Gëzim Topçiu e mohon, sipas tij përmbytja erdhi vetëm nga shiu. Ai është shprehur se grupet e punës janë në terren për evidentimin e dëmeve, ndërsa për kompensimin e tyre Topçiu kërkon ndihmën e Emergjencave Civile, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
“Pritat malore janë në funksion, por reshjet ishin shumë të mëdha. Janë shkatërruar rrugë, kanale, është futur ujë në disa banesa, por fatmirësisht nuk kemi njerez të lënduar. Kanë rënë shumë interte në rrugë, ne kërkojmë ndihmë sepse bashkia nuk ka buxhet të mjaftueshëm për emergjenca”, tha Topçiu.
Probleme nga stuhia e shiut janë shkaktuar dhe në fshatrat e tjerë rrëzë malit të Moravës si Belortaja, Shamolli, Dishnicë, Plasë dhe Kuç të Zi.