Panairi i librit këtë vit shënon edicionin e 23-të - Gazeta Express
string(50) "panairi-i-librit-kete-vit-shenon-edicionin-e-23-te"

Panairi i librit këtë vit shënon edicionin e 23-të

Arte

Gazeta Express

30/05/2023 15:32

Ka filluar tashmë numërimi mbrapsht deri në ditën kur të gjithë pasionantët e librit takohen në kryengjarjen e fushës së librit: Më 6 qershor, çel dyert Panairi i 23-të i Librit.

Me moton “Libri triumfon” vjen edicioni i 23-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

Lexo Edhe:

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 6 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00. Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00.

Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 23-të të librit janë:
– 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit
– 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe
– 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
– Kurorëzimi i veprimtarisë letrare të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, me botimin e kompletit shtatëvëllimësh të veprave letrare, të cilat përfshijnë shtatë dekada krijimtari, ekskluzivisht në Panairin e 23-të të Librit; me praninë e autorit.
– Botimi dhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.