Erotimatologio / Blerina Rogova Gaxha - Gazeta Express
string(35) "erotimatologio-blerina-rogova-gaxha"

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:43

Erotimatologio / Blerina Rogova Gaxha

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:43

Blerina Rogova Gaxha (1982) është poete, studiuese e letërsisë, eseiste, doktor në letërsi. Laureate e Çmimit Ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award”, Slloveni, 2015, dhe e Çmimit Kombëtar për veprën më të mirë në poezi, 2020.

Autorja ka pasur prezantime të shumta në festivalet e letërsisë dhe në panairet e librit në Gjermani, Austri, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Irlandë, Maqedoni, etj. Shkrimtare mysafire në rezidencat ndërkombëtare të shkrimtarëve në Vjenë, Split dhe Novo Mesto. Poezitë dhe esetë i janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja (gjermane, angleze, frënge, italiane, sllovene, kroate, greke, rumune, turke, boshnjake, maqedonase). Krijimtaria e saj është prezantuar në antologjinë e poezisë evropiane Europe Grand Tour, 2019. Është anëtare e PEN qendrës së Kosovës. Ka botuar: Gorgonë (poezi, 2009, fitues i Çmimit Kombëtar për poezi, 2010); Kate (poezi, 2013); Format e prozës së Kadaresë (studim, 2015); Ajo vjen nga Lindja (poezi, 2016); Thasë (poezi,2020).

Lexo Edhe:

Libri i saj i fundit “Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, të botuar nga Instituti Albanologjik, është shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë në kritike letrare dhe eseistikë ‘Ibrahim Rugova’, të Ministrisë së kulturës, për vitin 2021. 

Libri i parë

Mbaj mend se ka qenë një nga ata librat me ilustrime për fëmijët e klasave të para ose të dyta, i cili kishte për protagonist një djalë që ëndërronte të fluturojë dhe e realizon këtë dëshirë duke u kapur për një tufë balonash. Është e pamundur ta kujtoj titullin, por i kam pasur disa të tillë dhe i adhuroja. Ndërsa, një nga librat e parë që më pati lënë mbresa të mëdha është romani për fëmijë Verorja i autorit Rexhep Hoxha. Ishin pushimet verore pas mbarimit të klasës së katërt. Po lexoja në oborr, nën hardhinë e rrushit, dhe e kujtoj ndjenjën e tronditjes gjatë leximit, lotët dhe trishtimin.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Një libër të thjeshtë dhe të bukur.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Do të doja që të lexoheshin më shumë veprat e letërsisë shqipe, të vjetrat dhe të rejat. Do të doja që të lexohej më shumë poezia e Wislawa Szymborskes, Fernando Pessoas, Leonard Cohen, Bob Dylan, Charles Baudelaire, Silvya Plath, Charles Bukowski; tregimet e Dino Buzzatit, tregimet e Leon Tolstoit, të Luis Borhesit apo të Italo Calvinos. Librat e Xhevdet Bajrajt, Arben Idrizit dhe Luljeta Leshanakut.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Leximi i çdo libri është ngjarje dhe varësisht gjendjes në të cilën ndodhemi një libër mund të ndikojë në njëfarë mënyre në rrjedhën e jetës, në ndjeshmëri, në perceptim, në informacion, por sigurisht që jo në ndryshim të jetës. Autorët që i përmenda më sipër me artin e tyre, me bukurinë dhe habinë që sjellin kanë ndikuar në shijen time letrare dhe rrjedhimisht edhe në shkrimin tim.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Janë disa. Kam një listë të gjatë veprash që dua t’i lexoj, e cila më rri gjithmonë në krye si listë borxhesh të pashlyera me kohë, borxhe ndaj vetes dhe profesionit tim. Secilit na duhet kohë dhe nganjëherë koha jonë është e pamjaftueshme, dhe nuk mbërrijmë ta mposhtim dinamikën e përditshmërisë, ndaj dhe koha për leximet që duam mbetet e paktë. Leximi im është i drejtuar më shumë rreth hulumtimeve në fusha të caktuara letrare, ndërkaq koha për shlyerjen e borxheve ndaj vetes, gjithmonë e paktë. Njëri nga librat të cilin ka kohë që e kam blerë por gjithnjë e shtyj ‘për një kohë më të mirë’ është romani i Orhan Pamuk “Unë jam e kuqja”.  

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Nuk do të thosha zhgënjyer, por ka libra që përfolen pak ose shumë dhe nuk i shkojnë shijes time.

Libri që ju ka befasuar

Në fëmijëri kanë qenë të shumtë librat që më kanë befasuar, më vonë ata nisën të rrallohen, sepse duke u rritur shija e lexuesit mprehet e gdhendet e poashtu gdhendet edhe karakteri i tij. Nëse në moshë më të madhe një libër arrin të të befasojë, atëherë ai është një libër vërtet i bukur. Në rininë e parë më kanë befasuar shumë të tillë, gjatë studimeve më ka befasuar Dostoevsky, Gogoli, Charles Baudelaire, Joseph Brodsky, tregimet e Mitrush Kutelit; më vonë ndërkaq poezitë e Rumit, tregimet e Dino Buzzatit, poezitë e Wislawa Szymborskas, të Leonard Cohen e të Bob Dylanit, poezitë e Sylvia Plath, të Alda Merinit e së fundmi poezitë e Louise Gluck.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Kur ke pasion letërsinë, ke libra dhe autorë që rrojnë me ty. Kështu i kam dhe unë autorët e preferuar dhe veprat e tyre në poezi. Jo pse të duhen po sepse në ato vargje gjen një ngushëllim poetik. Të tillë më janë libri me poezi të përzgjedhura të Rumit, një përmbledhje e bukur e poezisë haiku, librat e Pessoas dhe ato të Szymborskas.

Libri i fundit 

Libri i fundit që kam lexuar është Quiet Flows the Una (Knjiga o Uni) i autorit boshnjak Faruk Šehić. Një libër autobiografik për kujtesën dhe traumën e luftës, në të cilin autori e thur rrëfimin në kontrastin mes nostalgjisë së fëmijërisë dhe shkatërrimit e brutalitetit të ngjarjeve të luftës ku ai mori pjesë si ushtar. Nuk është një histori epike për ngjarjet e trazuara të shekullit të njëzetë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por një meditim shumë personal, intim për një kohë dhe vend specifik, të cilën Šehić e përdor si metaforë për botën e shkatërruar nga bizaritetet e luftës.

/Gazeta Express