Qumili i muhalifeve shfaq supremaci kulturore dhe merret seriozisht në opinion - Gazeta Express
string(78) "qumili-i-muhalifeve-shfaq-supremaci-kulturore-dhe-merret-seriozisht-ne-opinion"

Lajme

Gazeta Express

27/10/2022 12:06

Qumili i muhalifeve shfaq supremaci kulturore dhe merret seriozisht në opinion

Lajme

Gazeta Express

27/10/2022 12:06

Sevdai Radogoshi, që në popull njihet si Qumili, trazoi shpirtërat e shumëkujt në Kosovë, kur bëri një deklaratë për dallimet kulturore “katund -qytet”. Muhalifja e gjakovarit të ‘certifikuar’ për humor, u trajtua si ta kishte thënë ndonjë studiues. “A di do të katundeve që janë, të Klinës, Malishevës e andej do… kurrë ata s’dinë çka është teatri. Kurrë në teatër s’kanë hy” ishte fjalia e Qumilit me të cilën shkaktoi tërmet.

Një paraqitje televizive në T7, të dielën që shkoi po vazhdon të komentohet edhe në ditët e fundit të kësaj jave. I ftuari, Qumili, aty u lëshua pak ne sferën intelektuale duke elaboruar për artin, aktorët dhe teatrin. Ndonëse Qumilit i mungon përgatitja akademike për të bërë teori mbi këto punë, foli ashtu si i erdhi për temën.

Fillimisht ai pak ekzagjeroi kur veten ose Trion (Leci, Qumili e Cima), i paraqiti si revolucionarë të humorit.

“Humor në Kosovë s’ka pasë. Humor kanë lujtë aktorët e dështum të teatrit. Istref Begolli e Hadi Shehu ata s’kanë lujt humor kurrë, as s’ke guxu me i thonë, ta kish gjujtë tekstin, të kish thonë s’jom unë qerkuz. Qeshtu ka thonë Hadi Heshu, nuk jom qerkuzunë” tha ai.

“Atëherë, me ardhjen tonë, na s’kemi lujtë humor, na kemi bo humor, ata kanë lujt humor. Me lujtë o diçka tjetër, me bo osht diçka tjetër. Janë aktorët e filmit, të teatrit dhe të estradës. Na jemi konë aktorë të estradës. Na kemi bo humor me tekstet tona, s’jemi varë prej kërkujt” shtoi Qumili.

Tutje, ai, pretendoi se kanë lënë një bazë të mirë solide për gjeneratat e reja me humorin që e kanë krijuar.

“Tash e ki lehtë me bo humor, se e ki humorin tonë dhe bazohesh qaty, te na munesh me marrë.  Se çdo këngëtar, çdo aktor, çdo artist inspirohet, p.sh. e nin tu knu Ismet Pejën e imiton krejt kohen Ismet Pejën deri te bjen ne zo tondin” argumentonte më tej Radogoshi.

Qumili u bë korrekt kur foli për Mixhën Ramë (aktorin e ndjerë Fitim Domi), duke i dhënë kredit për punën e tij, duke ia dhënë edhe epitetin e mbretit të humorit në Kosovë.

“S’ka pasë humor në Kosovë. Unë, Leci e Cima e kemi pru humorin në Kosovë, humor kanë bo …Mixha Ramë u kon tjetër, audiohumorist, në radie e kanë këqyr, ai është mbreti i humorit kosovar”.

Por ai “sharroi” keq kur foli për aktorët e rinj që ia kanë “marrë bukën” duke folur panevojshëm për “qytetin e katundin”.

“Osht çel shkolla e aktrimit dhe kanë menu qe kur ta kryn aktrimin bohen aktorë, atyne në diplomë iu shkrun aktor i teatrit dhe ai nuk lun ne teatër. Ai lun humor edhe qata aktorë 80 përqind, 90 përqind m’i pyet a je konë najherë në teatër para se me hi në aktrim kurrë. A di do të katundeve që jonë të Klinës dhe Malishevës, s’dinë çka është teatri” tha ai.

Fjalët e “Qumilit” ngjallën indinjatë, pati shumë reagime në rrjetet sociale  ndërsa humoristi nuk foli më.

Njëri nga ata që u prek ishte edhe Behgjet Pacolli.

“Kur isha student më trajtonin ndryshe sepse vija nga fshati, por sot jam më shumë se krenar për këtë” shkroi Pacolli.

Debatet për ndasitë “fshat-qytet” zakonisht shkaktojnë reagime në Kosovë, sidomos tash në epokën e rrjeteve sociale kur secili mund ta thotë fjalën e vet.

Rreth pesë vjet më parë, befasisht, dy ish-deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Meta dhe Muhamet Mustafa ishin angazhuar seriozisht për ta formuar një asociacion të “prishtinalinjve të vjetër”, të cilët do të quheshin “pinjollë të familjeve të para në Prishtinë”.

“Për këtë arsye, ju lus të gjithëve që jeni pinjollë, respektivisht keni prejardhje nga familjet e vjetra prishtinase, të më lajmëroheni në inbox, në mënyrë që t’ju kyçim në aktivitetet themeltare”, shkruante Meta në Facebook, duke treguar disa procedura se si do të kualifikoheshin “prishtinalinjtë e vjetër”.

Mustafa thoshte se synonin t’ia jepnin vulën kryeqytetit të Kosovës, duke i identifikuar ata që sipas tyre, do ta identifikonin Prishtinën.

“Dera është e hapur për të gjitha ata që kanë dëshire t’i japin frymë, zhvillim, metropolizëm Prishtinës sonë të dashur dhe që e ndiejnë veten, e përqafojnë identitetin e Prishtinës, në aspektin e traditës dhe të Prishtinës moderne. Të dyja do t’i pajtojmë dhe ishalla Zoti na ndihmon që tash e tutje t’ia japim edhe ne vulën Prishtinës sonë të dashur”, kishte shkruar ai.

Kjo atëherë ishte e nevojshme për të nisur një debat që zakonisht nuk zgjat shumë dhe që asnjëherë nuk është zhvilluar shumë seriozisht në Kosovë.

Iniciativa e “prishtinalinjve të vjetër” me gjasë nuk është jetësuar si e tillë.