Arkivi, ky armik i Vetëvendosjes - Gazeta Express
string(31) "arkivi-ky-armik-i-vetevendosjes"

Arkivi, ky armik i Vetëvendosjes

OP/ED

Gazeta Express

07/10/2022 16:16

Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur armiq në media e shoqëri civile, në opozitë e sindikata, më i madhi armik i Lëvizjes Vetëvendosje është arkivi në internet. Video e shkrime që zbulojnë premtime të papërmbushura dhe mungesë konsistence në veprime e vendime.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Njerëz të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk po prajnë së kërkuari armiq, në përpjekje për t’i denigruar dhe sulmuar dhe për të arsyetuar premtimet e papërmbushura. Tash kur ka kaluar një vit e gjysmë që kur partia e Albin Kurtit ka marrë pushtetin për të dytën herë, ata kanë zgjedhur të publikojnë një video, në të cilën i nxijnë ata që kanë qenë në pushtet. Në vend se të përmbledhin në një video të arriturat e veta, ata ende po vazhdojnë t’iu tregojnë qytetarëve se sa të këqinj kanë qenë ata para tyre dhe sa zullumin e kanë bërë.

Por, kur pyeten për përmbushjen e premtimeve të dhëna në fushatë dhe planin qeverisës, zyrtarë të VV’së nuk kanë shumë çfarë të thonë.

Ata ndryshe kanë folur sa kanë qenë në opozitë, e qasje tjetër kanë tash në pushtet, ndonëse përsërisin se janë konsistentë dhe konsistencën e kanë shenjë dalluese. Por, mjafton të “gërmohet” arkivi në internet, për të parë çfarë kanë thënë dikur e çfarë thonë tash për të njëjtat çështje.

Kur sindikata e arsimit organizonte greva në të kaluarën, Vetëvendosja i mbështeste dhe iu bënte thirrje që të vazhdojnë bojkotin e mësimit. Edhe atëherë, edhe tash sindikata është udhëhequr nga të njëjtit njerëz. Por, atëherë ata kanë qenë të mirë, e tash janë të këqinj. Tash janë njerëz të PDK’së, Prontos, njerëz që po duan ta rrëzojnë Albin Kurtin nga pushteti.

Videot dhe shkrimet në arkivin në internet zbulojnë mungesë konsistence të Vetëvendosjes në vendime dhe veprime, zbulojnë deklarime paushalle dhe të pamenduara mirë, të cilat tash iu kthehen bumerang.

* * *

Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë ardhë në pushtet me premtime të mëdha. Duke i dëgjuar sa ishin në opozitë, krijohej përshtypja se gjërat do të ndryshojnë si me një shkop magjik. Por, situata është krejt ndryshe. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dha dorëheqje të enjten, pa e kryer asnjë punë të hajrit për gati një vit. Është e kuptueshme që gjendja në shëndetësi nuk ndryshon brenda natës, as brenda vitit. Por, problematike është mungesa e vullnetit politik për t’i nisur reformanë në sistem.

Shëndetësia nuk ka qenë prioritet i Kurtit dhe qeverisë së tij. Një sistem i degraduar dhe i kriminalizuar, që ndër vite nuk ka mundur të këndellet. Një sistem i degraduar, i ngulfatur nga grupe të shumta interesi.

Shëndetësia nuk është çështje e një ministri, por duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të qeverisë dhe të vetë kryeministrit. Siç duhet të jenë edhe arsimi e drejtësia. Rifat Latifi mund të jetë profesionisti më i madh i fushës, shkencëtar i zoti e njeri i mrekullushëm, por nuk ia ka haberin për menaxhim. Të paktën nuk e ka treguar një gjë të tillë gjatë 11 muajve në krye të qeverisë.

Nuk mund të kontestohet dëshira e Latifit për t’i ndryshuar gjërat për mirë. As vullneti i tij. Mund të jetë se ai është lënë i vetëm në misionin e tij. Por, kjo nuk e amnistion Qeverinë Kurti nga dështimi.

* * *

Zyrtarët e Vetëvendosjes nuk kanë qejf t’iu shfaqen gjëra nga arkivi, sepse në këtë mënyrë ata demantohen, zihen në rrenë. Arkivi ua kujton atyre se çfarë kanë qenë në opozitë, e çfarë janë tash. U kujton deklarata e veprime që i bënin me qëllim që të përfitojnë politikisht, por që tash nuk po mund t’i zbatojnë në praktikë.

Dhe, kur s’po e kanë të lehtë të përballen me realitetin, zyrtarë të partisë po zgjedhin të sulmojnë mediat, duke i akuzuar për mungesë konsistence. Ndërkohë që shumica e mediave, edhe gjatë pushteteve të kaluara, kanë raportuar për bëmat e tyre. Në fakt, pjesa dërmuese e skandaleve tashmë të njohura nuk janë zbuluar nga partitë politike, por nga mediat. Vetëm se tash mediat që dikur kanë qenë “të mira” për zyrtarë të Vetëvendosjes, janë bërë “të këqija”. Mbase ata kanë menduar se gazetarë, media e opinionistë do të duartorkasin çdo veprim të Qeverisë Kurti, mospunën, moskonsistencën e arrogancën.