Kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli është mposhtur bindshëm nga ekipi portugez, Benfica me rezultat 92:67.
Ndeshja e zhvilluar në Portugali nisi mirë për suharekasit, por pati një fund krejtësisht ndryshe, shkruan Gazeta Express.
Suharekasit e nisën mirë ndeshjen, duke pasur epërsinë pas çerekut të parë, por më pas gjithçka shkoi keq për ta.
Fillimisht, ekipi portugez barazoi në 42:42 shifrat në pjesën e parë, duke marrë administrimin e ndeshjes.
Çereku i tretë e bëri diferencën në këtë takim. Benfica arriti ta mbyll fraksionin e tretë me 13 pikë epërsi 71:58, duke e lënë thuajse pa gjasa kampionin e Kosovës.
Në çerekun e katërt dhe të fundit, vendasit vetëm sa e rritën epërsinë e tyre, teksa në fund shifrat në semafor tregonin 92:67 për Benfican. /Gazeta Express/