Antiterrori dhe Prokuroria e Elbasanit akuzon zyrtarisht se kanë siguruar dhe dhënë informata sekrete me karakter ushtarak duke cenuar sigurinë, 2 shtetasit rusë Svetlana Timofeeva dhe Mikhail Zorin, si dhe mikun e tyre ukrainas Fiodor Mihailovic të ndaluar pasditen e të shtunës në Uzinën Ushtarake në Çekin të Gramshit.
Çfarë po ndodh aktualisht me 3 të ndaluarit?
Të tre janë duke qëndruar në dhomat e paraburgimit në drejtorinë e Elbasanit raporton Abc.
Njëri prej tyre Mikhail Zorin 23 vjecarin që forcat e policisë në Gramsh mundën ta arrestojnë në përpjekje për t’u larguar ka qënë i gjakosur pasi në përpjekje për të humbur gjurmët ka rënë në një zonë me shkurre çka i ka shkaktuar dëmtime të lehta në pjesë të ndryshme të trupit.
23 vjecari është shumë i prerë në bisedat e kryera me antarët e grupit hetimor, shumë inteligjent dhe këmbëngul se është turist. Përpara hetuesve ka deklaruar se kishte ditë pa ngrënë prandaj ju ka kërkuar ushqim punonjësve të policisë të cilët i kanë blerë privatisht byrekë dhe një shishe me dhallë.
Dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas që u kapën të shtunën pasdite, teksa tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh i thanë policisë se ishin fotografë dhe kishin blogjet e tyre ku reklamonin kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Sipas dëshmisë së tyre, të rinjtë fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura. Gjithashtu ata thanë se kanë fotografuar bunkerë dhe tunele të nëndheshëm, si dhe vende të uzinës e territore të lëna mënjanë.
Në një çantë të sekuestruar pas arrestimit të tre te rinjve, autoritetet u gjetën celular dhe aparat fotografik ku kishte edhe disa foto të institucioneve shqiptare. Po ashtu sipas të njëtave burime, të rinjve iu sekuestru edhe një dron e disa çelësa anglezë e kaçavida.
Si u pikasën 2 rusët dhe ukrainasi
Njëri prej tyre Mikhail Zorin, u pikas nga 2 rojet ushtarake në territorin e Uzinës, zonë e ndaluar për persona të paautorizuar. Ushtaraket i kërkuan të largohej, por edhe pse ai i sulmoi me spraj neuroparalizues, u ndalua prej tyre.
Ndersa 33 vjecarja ruse Timofoeva dhe 25 vjecari ukrainas, Mihajlov, u kapen nga policia pranë Cërrikut. Sulmi me spraj ndaj dy rojeve ushtarake të uzinës ngre dyshime se tre te rinjte mund të mos kene qënë thjesht blogerë.
Nga hetimet ka rezultuar se kjo nuk është hera e parë që këta shtetas janë në Shqipëri dhe fotografojnë zona ushtarake. Këtë e tregojnë postimet e tyre në rrjete sociale.
Grupi hetimit beson se 3 të ndaluarit, Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe Fiodor Mihailovic, janë pjesë e agjencive të huaja sekrete dhe paraqitja e tyre si turistë eksplorues është kamuflazh. Gjithçka pritet të zbardhet deri në fund të hetimeve.
/Gazeta Express