La Liga e çon në qiell Vedat Muriqin: Mbani mend emrin e tij - Gazeta Express
string(59) "la-liga-e-con-ne-qiell-vedat-muriqin-mbani-mend-emrin-e-tij"

La Liga e çon në qiell Vedat Muriqin: Mbani mend emrin e tij

Sport

Gazeta Express

27/05/2022 23:22

Faqja zyrtare e La Ligas ka publikuar disa artikuj lidhur me xhiron e 38-të dhe të fundit nga sezoni 2021/22.

Përveç futbollistëve të tjerë, një artikull i është kushtuar edhe Vedat Muriqit, i cili nga janari ishte i huazuar te Mallorca, përcjell Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Mbani mend emrin e tij” – kështu nis shkrimi kushtuar reprezentuesit të Kosovës.

“Disa lojtarë kanë aftësinë të regjistrohen në një klub dhe të lënë përshtypje të menjëhershme, duke kontribuar me gola, asistime dhe duke siguruar pikë dhe Vedat Muriqi sigurisht që i përshtatet asaj kategorie. Siç mund ta shohim në këtë video, sulmuesit nuk i jepet kurrë një ‘rrugë’ e lehtë nga mbrojtësit kundërshtarë dhe renditet në mesin e 15 lojtarëve më të mirë në divizion për distancën më të shkurtër nga lojtari më i afërt kundërshtar kur ai merr topin. Ai gjithashtu përfshihet në mesin e dhjetë lojtarëve më të mirë në tabelën e tentimeve, gjë që ndihmon për të shpjeguar arritjen e tij mbresëlënëse me pesë gola. Megjithatë, duam të tërheqim vëmendjen tuaj në një kriter që flet shumë për përpjekjen dhe vendosmërinë e tij dhe ai është performanca e tij në duele. Pasi iu bashkua Mallorcas në afatin kalimtar të dimrit, sulmuesi kryeson renditjen e La Liga Santander për numrin e dueleve ajrore të kontestuara, duke arritur pothuajse 13 për çdo dalje, dhe ai është i dyti si më i miri për numrin e dueleve ajrore të fituara (pothuajse shtatë)”, thuhet në këtë shkrim nga La Liga për sulmuesin prizrenas, duke u bazuar në statistikat dhe paraqitjet e tij në sezonin e fundit.

Faqja zyrtare e La Ligas këtë e ka shoqëruar edhe me një video nga paraqitjet e Muriqit me fanellën e Mallorcas, të cilën mund ta shikoni duke klikuar KËTU.

28-vjeçari regjistroi 16 paraqitje në elitën e futbollit spanjoll. Ai shënoi pesë gola dhe shtoi tri asistime. /Gazeta Express/