string(55) "kush-ishte-xhevdet-peci-legjenda-e-boksit-qe-vdiq-sot-1"

Sport

Gazeta Express

09/05/2022 20:46

Kush ishte Xhevdet Peci, legjenda e boksit që vdiq sot

Sport

Gazeta Express

09/05/2022 20:46

Xhevdet Peci, njëri nga boksierët më të mëdhenj të Kosovës, ka ndërruar jetë këtë të hënë.

Ish-kampioni i shumëfishtë në ish-Jugosllavi vdiq në moshën 67-vjeçare, shkruan Gazeta Express.

I lindur më 17 prill 1955 në fshatin Zhazhë të Mitrovicës, Peci me boks filloi të merrej si 16-vjeçar. Ai e nisi në klubin “Akumulatori” në qytetin e tij të lindjes.

Xhevdet Peci veçohej për goditjet e tij të forta. Me të kishte punuar legjenda tjetër, Lah Nimani. Kjo dyshe në sezonin 1973/74 iu bashkuan klubit të boksit “Prishtina”.

Peci fitoi zemrat e të gjithëve, teksa nga tifozët filloi të thirrej edhe si “Knock-Out” artist, pasi ai veçohej për përfundimin e meçeve para kohe.

Nga viti 1975 deri më 1983, Xhevdet Peci fitoi pesë tituj në konkurrencën ekipore, kurse katër në konkurrencën individuale. Gjatë këtyre viteve, ai arriti të fitonte edhe dy kampionate të Ballkanit.

Peci për pesë vjet radhazi nuk njihte humbje. Në vitin 1983, ai u dërgua në huazim te skuadra nga Beogradi, Radnicki, për t’i ndihmuar që të shpëtonin nga rënia.

Pas katër muajve të kaluara atje, ai u rikthye te klubi i Prishtinës. Peci me këtë klub vijoi deri në vitin 1986, kur u përjashtua përjetësisht nga sporti i boksit.

Xhevdet Pecit iu ndalua ushtrimi i këtij sporti pasi ai kishte rrahur një gjyqtar serb, i cili padrejtësisht ia kishte dhënë fitoren kundërshtarit të ish-boksierit nga Mitrovica.

Cilat ishin të arriturat e Xhevdet Pecit?

(1975 – 1983) – Katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencën individuale.

(1975 – 1983) – Pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencën ekipore.

(1978) – Kampion Ballkanik.

(1981) – Kampion Ballkanik për herë të dytë.

(2000) – Qyteti i Mitrovicës e zgjedh sportistin e shekullit. /Gazeta Express/