Ukraina që bashkon - Gazeta Express
string(18) "ukraina-qe-bashkon"

OP/ED

Gazeta Express

04/03/2022 10:41

Ukraina që bashkon

OP/ED

Gazeta Express

04/03/2022 10:41

Ukraina që bëri bashkë botën demokratike në përkrahje të saj dhe kundër agresionit rus, i bashkoi edhe kosovarët në dashurinë për shtetin. I bëri të kuptojnë se sa e rëndësishme është të kesh shtet dhe miq në kohëra të vështira

Imer Mushkolaj

U desh të ndodh lufta në Ukrainë, që një pjesë e qytetarëve të sjell ndërmend se si duhet dashur vendi. U desh të ndodh lufta në Ukrainë që të kuptohet se si duhet çmuar liria, se sa e rëndësishme është të kesh shtet, por të kesh edhe miq.

Ukraina e këtyre ditëve është leksion për të gjithë ata që shtetin e trajtojnë me cinizëm e joseriozitet, për të gjithë ata që Kosovën e shohin shtet tranzitor dhe veç si një urë për të tjera aspirata, për të gjithë ata që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është ta duash e ta respektosh shtetin e fituar me shumë mund e sakrificë.

Ndryshe nga vendi fqinj, Serbia, Kosova është rreshtuar në anën e drejtë në raport me atë çfarë po ndodh në Ukrainë. Vend i vogël e shtet i ri, Kosova iu bashkua sanksioneve ndaj Vladimir Putinit, Kuvendi miratoi rezolutë në përkrahje të Ukrainës, qeveria hapi dyert për gazetarë që ikin nga tmerri i luftës e njerëzit po solidarizohen në mënyrën e tyre me popullin ukrainas.

Gjithë kjo po ndodh në kohën kur Ukraina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk është fare problem për t’u rreshtuar krah një shteti e një populli që po sulmohet egërsisht nga një fashist si Putini.

Kush më mirë se kosovarët e dinë se çfarë don të thotë të jesh i shtypur, i pambrojtur, i vrarë, i masakruar? Kush më mirë se kosovarët e dinë çfarë do të thotë të jesh refugjat, të shkatërrohet shtëpi e katandi, të zhduken kujtimet e një jete e të jetosh i lënduar, i sakatuar?

Ukraina që bashkoi botën demokratike në përkrahje të saj dhe kundër agresionit rus, i bëri bashkë edhe kosovarët në dashurinë për shtetin. I bëri të kuptojnë se sa e rëndësishme është të kesh shtet dhe miq në kohëra të vështira.

* * *

Është për t’u admiruar rezistenca ukrainase e morali i lartë për ta mbrojtur vendin. Por, a nuk ishte një situatë e ngjashme para më shumë se dy dekadash në Kosovë? A nuk u organizua UÇK’ja, si një ushtri guerile, për t’i rezistuar regjimit të Slobodan Milosheviqit? A nuk i rrokën armët djem e vajza, burra dhe gra, njësoj si tash ukrainasit, për të mbrojtur familjen, shtëpinë, vendin?

Natyrisht, secila kohë i ka heronjtë e vet. Sot është koha e presidentit ukrainas Zelensky. Nuk ka gjë të keqe që ai të admirohet për mënyrën si po e menaxhon një situatë lufte, të çmohet për mesazhet që ua shpërndan bashkëkombasve dhe për të tjera mesazhe që po ua dërgon udhëheqësve shtetërorë anembanë botës. Ai është heroi, idhulli sot. Ai është simboli i

rezistencës. Por të tillë, ndonëse jo në të njëjtën pozitë shtetërore, ka pasur edhe në Kosovë, para më shumë se njëzet vjetësh. Dhe nuk kanë qenë pak, ndonëse jo mjaftueshëm.

Po flas këtu për ushtarë e ushtare të UÇK’së – edhe për emra të përveçëm – të cilët pas luftës u futën në ujëra të tjerë jo fort të lavdishëm. Po flas për ata që nuk u frikësuan t’ia kthejnë pushkën paramilitarëve dhe ushtrisë së Milosheviqit. Po flas për plot të tjerë që nuk duan të shfaqen e të rrahin gjoks që kanë qenë pjesë e luftës, duke thënë se, thjesht, kanë kryer një obligim. Siç po ndodh sot në Ukrainë.

* * *

Ukraina do të duhej të ishte një leksion për Bashkimin Europian, që te Serbia ka parë një shtet demokratik dhe e ka toleruar të rehatohet në dy karriga njëkohësisht. Ukraina ka nxjerrë sheshazi fytyrën e vërtetë të Serbisë së toleruar nga burokratët e Brukselit, të Serbisë që vazhdon ta luftojë Kosovën me të gjitha mjetet politike – dhe jo vetëm – që ka në dispozicion, të Serbisë që vazhdon të jetë rrezik për rajonin. Nëse tash e tutje qasja e Brukselit për Serbinë nuk ndryshon, atëherë është i kotë çfarëdo investimi për stablitet në rajon, është i kotë çfarëdo dialogu për përmirësim marrdhëniesh.

Por, situatën e re me Ukrainën duhet ta shfrytëzojë sa më mirë Kosova, duke treguar se çfarë përfaqëson e çfarë kërkon, duke i bërë të qarta synimet e veta dhe duke ngulmuar më fort që ato të realizohen. Në këtë klimë pasigurie e jostabiliteti duhet shfrytëzuar të gjitha mundësitë për investim të gjithanshëm në stabilitet e siguri. Kosova e ka rastin të veprojë seriozisht drejt realizimit të kërkesave të veta, që kontribuojnë në forcimin si shtet, por edh në paqen rajonale. Rrëfimet për “perspektiva demokratike” e forulime të tjera të ngjashme janë përralla që s’iu beson kush

Advertisement
Advertisement
Advertisement