Diktaturat e egra lindore varen nga grykësia perverse e shteteve nacionale perëndimore. Ky është binomi tragjik i një luftë që nuk bëhet për lirinë edhe mirëqenien e popujve, por vetëm për primatin mbi kapitalin e kësaj bote. Pas kësaj krize nuk do të ndodhë liria e Ukrainës (ajo është) por çlirimi i Rusisë nga demonët e historisë dhe perëndimit nga djajtë e grykësisë.
Murtaja përlanë ushtrinë e Akilit. Kalhasi që gjendej në protektoratin e të parit ishte i besimit se epidemia rezultoi si dënim nga Apolloni. Sipas tij Zoti dënonte Agamemnonin për grabitjen dhe moslirimin e vajzës së priftit Kryses. “Këndoi zemërimit të Akilit o perëndeshë…” ulurin Pseudohomeri në këngën e tij të parë. Kështu nis historia e mentalitetit të kontinentit plak. Zemërimi është energjia e tij e vetme që mund ta shpëtojë nga vetëpërmbytja. Kënga si ligjërim historik, në këtë kontekst, e ka një hiatus: zemërimi duhet tu ndodh engjëjve e jo demonëve. Zemërimi i të dytëve fundos botën e ai i të drejtëve e mbijeton atë. Zemërimi që nuk mban në korrespondencë thymós-in me lógos-in është fitili i furrimit të vetes. Aludojmë me këtë parabolë rusët të jenë demoni e tjerët engjëlli? Jo. Nga zemërimi aktual përfitimi është dy-anësor: rusët (si popull) do ta mbijetojnë ciklin e fundit të domosdoshëm para çlirimit nga demonët e tyre historik, ndërkaq tjerët do ta kuptojnë se nuk tregtohet paqja për pare. Më hiç me tiranë e demonë si Putini dhe të kategorisë që nuk ngurojnë të vrasin edhe të vetët.
I.
Pa agresionin rus zemërimi i botës së lirë ishte i pamundshëm. Pa Ukrainën si viktimë zemërimi do të ishte sërish në funksion të plaçkitjes së kontinenteve, mbytjes së kulturave dhe popujve për diamante, erëza, kafe dhe banane nga Conquistadorët e rinj.
Murtajat e fundit ishin (ose ashtu i interpretuan diktaturat e kësaj bote) beteja e parë, ato që do ta lodhnin e do ta bënin “bishën imperialiste oksidentale” të palëvizshme, do ta shtrinin atë për toke dhe do të ua ofronin të handakosur, të gatshëm ngrënëkeqëve që mezi presin shpateve të Tuloylamit, stepave euroaziatike, korridoreve të Wall Street-it , Birzha-s , SMI-t, DAX-it e kompani.
Këtë kalkulim do ta ketë bërë edhe Putini, gjersa i zhytur në letërsinë e autorëve pansllav si Dostojevski, Tolstoj, Danilewski do të ketë ëndërruar zhdukjen nga faqja e dheut të “pallateve të kristalta” të Londrës, Berlinit, Tokios. Sheh ëndrrat e njëjta siç i shihnin pasardhësit e tij nga bodrumet e lagjeve të ngrira ruse, të deliruar nga kënga e zymtë e polakut Samuel Tomashik “Hej slloveni”?
Agresioni tij i nisur shumë vite më parë eksplodoi këtyre ditëve në Ukrainë. Do ta pushtojë plotësisht Ukrainën. Për historinë e tij personale kjo do të jetë e padobishme. Ukraina dhe Rusia nuk do të jetojnë kurrë më bashkë. Pavarësisht juridiksionit.
E çka ndodh realisht pas marshimit të tij drejt Ukrainës? Triumfoi murtaja apo ajo na bëri pikërisht atë që ka bërë që nga koha e luftës Peloponez-e, atë çka bëri pas “Murtajës së zezë” e deri sot: çdo epilog i tyre, mortajave, ka qenë shtysë motorike e kulturave drejt mëpacifizimit, mëzhvillimit dhe përparimit. Kjo ndodhë edhe kësaj radhe, sidomos në mjekësi, komunikim e gjithandej. I ka ikur Putinit ky proces aq faktik i historisë apo vetëpërdhosja dhe përdhunimi i tjerëve nuk është nën kontrollin e tij, por fatalitet, domosdoshmëri. Pa sjelljen e tij rusëve mund t’iu ikë edhe ky tren postepidemik për ta zënë shansin e vetëterapimit, ndarjen përfundimtare nga mitologjia e drakulave dhe urrejtjes patologjike për botën ndyrshe, josllave. Nëse rusët ikjen e Putinit nuk e shfrytëzojnë për tu radhitur krahas popujve tjerë që jetojnë në luks e paqe atyre do t’u ndodh ajo që i ndodh Serbisë: do të vegjetojnë deri në pandeminë e radhës, në armiqësi me gjithë përreth e sidomos me veten.
II.
Rusia është fabrika e thymos-it (në këtë rast si zemërim fuqidhënës për jetë tjerëve) e Ukraina logos-i i kaosit më të ri të kësaj bote. Çka janë BE, SHBA-të dhe tjerët në këtë lojë? Vërtet engjëj apo poashtu demonët që u përpoq t’i disiplinoj murtaja e fundit? A do të çlirohen edhe këta, rrugës e sipër për t’i ndihmuar rusët, arabët, iranianët t’u shpëtojnë tiranëve të tyre nga demoni i vetë: grykësia! Nuk përparohet bota me sjellje antagonike. Nuk shpëton kinezin nga diktatura perverse pseudokomuniste e Xi Jinping-ëve duke lejuar industrinë tënde të prodhojë lodra, tekstile e çipa nga fëmijët, uigurët dhe tibetasit e ngujuar llogoreve dhe eksperimenteve përafërsisht si ato famëkeqet gjatë LDB-së. Nuk motivohet iraniani a sauditi të flakë tiranët e tij që përdorin sheriatin për t’i mbajtur nën kontroll kur shohin se gjitha klubet e futbollit, hotelet dhe parqet e perëndimit i kanë në duar sheikët e tyre dhe se nga perëndimi trajtohen si dërgatat e Nënës Terezës. Nuk e shtyn askënd të luftojë për liri duke ruajtur paret e diktatorëve të tyre arkave e bankave tua. Nuk e bind indin të shporr kastat duke mbyllur sytë kur tirani i tyre shuan qytetet të tëra me njerëz vetëm se janë ndryshe. Nuk i flet kujt për demokraci, liri e paqe duke qenë grykës pervers që shkel çdo parim të vetin me synimin për të shumuar sa më shumë kapital, sa më shumë pasuri, sa më shumë luks. Nuk ndihmon duke ia financuar tiranët që të bëhen më të fortë. Në atë mënyrë që pasi ta prangojnë popullin e tyre të ta mësyjnë dhe ty.
Patjetër: ambivalenca e kombeve perëndimore ndaj të drejtave të njeriut, ndaj konceptimit të lirisë së tjetrit dhe korruptimit të vetes duke mos i izoluar diktaturat është po aq demon si Putini për rusët.
Qytetërim nuk është vetëm të dish si t’i zhvatesh tjerët duke ua vazhduar mjerimin por duke qenë i ashpër me ata që i mbajnë në atë gjendje.
III.
Fakte për të qenë optimist se ndoshta kësaj radhe bota ia del, megjithatë kemi: Si asnjëherë më parë protestat masive perëndimit nuk kanë si mesazh dhe motiv vetëm zhbërjen e Rusisë agresore, por më shumë qëllojnë edhe grykësinë, ambivalencën dhe hipokrizinë populiste të shteteve të tyre. Edhe fakti i asistencës masive së Ukrainës me mjete ushtarake e humanitare është pikë e kësaj liste progresive: ndihmat janë miliardëshe dhe u kushtojnë shteteve të veçanta shumë. Nëse ky trend vazhdon dhe perëndimorët mësojnë përfundimisht se grykësia dhe morali i kushtetutave të tyre dhe atyre që i kanë ratifikuar për të drejtën e lirinë e popujve nuk shkojnë bashkë nuk zgjat shumë që efekti të vërehet andej ku popuj lëngojnë nga paliria.
[Ekskurs]
Çka donë të thotë kjo krizë për ata në gjuhën e të cilëve u shkrua ky tekst: Putini do të ikë patjetër nga skena. Ndoshta jo si Millosheviçi por si Vuçiçi patjetër. A do të ikin pastaj edhe primatët kinezë, iranianë, turq duke lënë në liri popujt e tyre, varret nga intensiteti i rizgjimit të tyre. Po ç’do të bëjnë shqiptarët që epokës së fundit dikush me zor, kundër vullnetit të tyre faktik, i fut trenave të kohës? E kanë përpiluar një strategji se si ta bindin së paku kësaj radhe botën perëndimore se me ç’putinësh kanë pasur punë gjatë historisë dhe se duhet patjetër tu bashkëngjiten organizatave supranacionale si BE, OKB, NATO jo vetëm për paqen e tyre por të rajonin e kontinentit apo presin t’i rrasë dikush me zor në vagon? Ca shenja optimiste vijnë nga ministri i mbrojtjes, më shumë jo. Të presim. Mrekullitë rëndom nuk janë paralajmëruese. Ato ndodhin.