Mllefi që helmon - Gazeta Express
string(16) "mllefi-qe-helmon"

OP/ED

Gazeta Express

18/02/2022 10:30

Mllefi që helmon

OP/ED

Gazeta Express

18/02/2022 10:30

Përderisa shteti i Kosovës i ka mbushur 14 vjet, ende nuk kanë marrë fund dilemat dhe përplasjet për shpalljen e pavarësisë, mënyrën si është bërë ajo dhe kush e ka përkrahur e kush kundërshtuar. Plot mllef, e pak mirëkuptim, respekt e përgjegjësi. Për shtetin. Për qytetarët.

Imer Mushkolaj

Shënimi i përvjetorit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës nuk kaloi qetë dhe si do të duhej as kësaj here. Seanca solemne e Kuvendit u braktis nga opozita, derisa kryeministri mbante fjalimin që supozohej të ishte festiv. Por, ja që ai zgjodhi që gjatë fjalimit të tij të mos ngurrojë së lëvduari veten dhe së kritikuari opozitë e media. Në këtë mënyrë, në vend që të ishte shfaqje solemne e të zgjedhurve të popullit, seanca e Kuvendit shërbeu për luftë politike ndërmjet partish. Një situatë aspak e këndshme, në një atmosferë feste.

Si për të mos mjaftuar kjo, e enjtja më pas vazhdoi me deklarata e komente nga më të ndryshmet, nga politikanë dhe njerëz jashtë politikës, të cilët iu kthyen historive dhe dilemave të kahmotshme që dinë të prodhojnë mllef, animozitete, pakënaqësi e paqartësi.

Dikush tha se pavarësia paska qenë në plan të shpallej qysh më 2006, por qenka shtyrë deri sa Hashim Thaçi të vijë në pushtet, tjetri e bëri edhe më të paqartë se cili nga shtete e kishte njohur i pari Kosovën e pavarur, e i treti u lëshua në teori konspirative, të denja për filma triller. Sërish u ngrit dilema pse deklaratën e pavarësisë e lexoi Thaçi, e jo Jakup Krasniqi, si kryetar Kuvendi apo Fatmir Sejdiu, si president. Dalldia vazhdoi me debate banale për flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, se cili qenka më i pranushëm dhe cili qenka “përnime”. Gjithçka ndodhi brenda një dite feste, që u shënua me disa aktivitete në nderim të 17 shkurtit.

Gjatë ditës qytetarët u entuziazmuan, me të drejtë, me parakalimin e forcave ushtarake dhe policore në sheshin e Prishtinës. Por, plot nga ta nuk ishin të tillë në deklarimet për media, teksa folën për 14 vjet shtetësi. Ata përmendën sfidat, me të cilat ballafaqohen çdo ditë. E ato nuk janë pak.

* * *

Para 14 vjetësh, pritjet e qytetarëve kanë qenë tjera. Mbase nga ekzaltimi për shpalljen e shtetit, për pak çaste mund të kenë menduar se pavarësia do t’i zgjidhte të gjitha problemet, si me shkop magjik. Por, nuk ka ndodhur ashtu. Natyrisht, ka pasur përparim dhe rezultatet janë të prekshme, por plot sfida vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje.

Zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe pamundësia për të krijuar vende pune po bën që qytetarët të frustrohen dhe të ikin jashtë vendit. Gjendja në arsim e shëndetësi, si dhe në sundimin e ligjit, vazhdon të mbetet e rëndë. Në këtë mënyrë, shpresat se “do të bëhet mirë” zbehen.

Muajt e fundit qytetarët janë përballur me probleme sociale dhe ekonomike, që nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe të tjerë, deri te rritja e çmimit të rrymës. Ndërkohë, pagat vazhdojnë të mbeten të njëjta në sektorin publik, përderisa në sektorin privat situata është shumë më e vështirë. E kuptueshme, pushteti duhet të gjejë zgjidhje për të gjitha këto, por edhe opozita duhet të jep kontributin që i takon.

Megjithatë, inati dhe mosdurueshmëria ndërmjet njërit e tjetrit krah të politikës del të jetë më e fortë sesa përpjekja për të zgjidhur diçka në të mirë të qytetarëve. Mllef që helmon.

* * *

Më e bashkuar ndonjëherë, politika është kur bëhet fjalë për interesa të përbashkëta. Shembulli i shpenzimeve për udhëtimin e deputetëve ka treguar më së miri se si sillen dhe veprojnë ata, në mbrojtje të interesave të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se nga cila parti vijnë. Disa vazhdojnë të heshtin, thua se nuk ka ndodhur asgjë, e të tjerë përpiqen në ndonjë rast të denoncojnë rivalin politik si keqbërës. Por, përfitimet i bëjnë bashkë. E bashkë nuk i bëjnë në plot çështje me rëndësi për qytetarët. Bashkë nuk i bëjnë kur votohen ligje e marrëveshje të rëndësishme në Kuvend, kur braktisin seancat veç për inati.

Në gjithë këtë gjurulldi, përgjegjësia dhe kërkesa për llogaridhënie nuk janë kërkah. Siç nuk është kërkah as transparenca e premtuar e institucioneve karshi mediave dhe qytetarëve.

Në ceremoninë qendrore festive, të enjten, u pa edhe bashkëshorti i presidentes, përfaqësuesi kryesor diplomatik i Kosovës në Maqedoninë e Veriut Në një situatë normale, në një shtet normal, ai do të duhej shkarkuar urgjentisht nga detyra, për shkak të akuzave ndaj mediave. Por jo, nuk ndodh kështu, pavarësisht se pushtetarë të tashëm kanë proklamuar ndër vite se nuk janë “si ata të tjerët”. Dhe jo vetëm në këtë rast, ata po tregojnë se janë në luftë të vazhdueshme me çfarë kanë thënë e çfarë kanë bërë në të kaluarën, krahasuar me çfarë po thonë e çfarë po bëjnë tash.  

Advertisement
Advertisement
Advertisement