Zbardhen detaje të reja nga vrasja që tronditi këtë të hënë Lezhën, ku adoleshenti Florian Përvathi vrau në oborrin e banesës së tij 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj. Mësohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pasi 17-vjeçarit i kanë vrarë babanë në sy në vitin 2009.
Gjithçka në atë kohë ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy familjeve, ku vëllai i 65-vjeçarit Lekgjonaj ka vrarë me armë babanë e adoleshentit, që në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç, Gjon Përvathi.
Adoleshenti, i cili sipas policisë dyshohet se ka qëlluar me një pistoletë më mulli.
Siç raportohet tragjedia në familjen Përvathi është rënduar, pasi menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka vrarë veten, duke pirë helm, edhe nëna e Florian Përvathit. Mësohet se ky i fundit ka qenë i pranishëm në konfliktin mes dy familjeve dhe në momentin kur babai i tij është qëlluar për vdekje.
Ndërkohë, Florian Përvathi, tashmë 17 vjeç, ka marrë hak për vdekjen e të atit, duke vrarë vëllanë e vrasësit të babait të tij. Mëngjesin e sotëm, ai ka shkuar te shtëpia e 65-vjeçarit Lekgjonaj, ka hyrë në pjesën e portës së shtëpisë dhe i është vënë nga mbrapa viktimës, duke e qëlluar dhe duke i shkaktuar plagë. Pas disa sekondash, ai i është afruar dhe e ka qëlluar sërish, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas ngjarjes, i riu është vetëdorëzuar.
Sa i përket autorit të vrasjes së babait të të riut, dyshohet se ndodhet në një vend në Australi. Ai ka kryer disa vite burg dhe më pas është larguar nga Shqipëria.
Informacioni i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës. Sekuestrohet dhe arma e krimit.
Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P. 17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.