2021-shi ishte një vit me zhvillime të shumta politike. Këto ngjarje sollën rritje në karrierë për disa politikanë dhe dështime për të tjerë. Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe zhvillimet e ngjeshura në kampin opozitar kanë trazuar ujrat në skenën politike. Politiko.al ka renditur pesë politikanët që 2021-shi i solli ulje në karrierë dhe pesë të tjerë që njohën rritje këtë vit.
5 politikanët në rritje
Edi Rama: Kryeministri arriti të merrte mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit, duke u bërë i pari në historinë demokratike të Shqipërisë. Pavarësisht kontestimeve të ndryshme për zgjedhjet, Rama arriti të fitonte përballë aleancës së PD me LSI dhe partitë e vogla opozitare.
PS e drejtuar nga Rama arriti të merrte 74 mandate. Ai fitoi për herë të parë në vitin 2013 përballë Sali Berishës dhe më pas dy palë zgjedhje me kundërshtar Lulzim Bashën.
“Open Balkan” ka qenë një tjetër temë që ka çuar fokusin te kryeministri Edi Rama. Kjo nismë e shumë kritikuar vazhdon të mbështet fuqishëm nga kryeministri. Së fundmi ajo ka marrë mbështetjen dhe të BE-së, sipas zyrtarëve të saj.
Shefi i qeverisë ka përfituar nga “zhurma” në selinë blu, e cila i ka dhënë mundësinë të vazhdojë qetësisht me projektet e tij. Kalimi i shumë shërbimeve online, krijimi i strukturave të reja si Këshillimi Kombëtar apo Njësia Antikorrupsion, ndërtimi i veprave infrastrukturore si aeroporti i Vlorës apo forcimi i bashkëpunimit në rajon janë disa nga fushat ku Rama është fokusuar këtë fillim mandati të tretë, që zyrtarisht e mori në muajin shtator.
Sali Berisha: Ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Demokratike ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në vitin 2021. Ai ka rinisur një aksion politik për rithemelimin e PD, duke patur mbështetjen e shumë figurave të njohura të kësaj partie dhe anëtarësisë.
Riaktivizimi i Berishës në politikë erdhi pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD më 9 shtator. Ky vendim erdhi pas shpalljes “non grata” të Berishës dhe familjes së tij në SHBA në muajin maj. Ai u akuzua për korrupsion, pretendim të cilin nuk e pranoi dhe ka nisur një proces ligjor në Paris.
Berisha nuk u pajtua me vendimin e përjashtimit nga ana e Bashës dhe nisi aksionin politik në të gjithë vendin dhe më pas organizoi Kuvendin e jashtëzakonshëm të PD. Në Kuvendin e 11 dhjetorit u morën vendime të rëndëishme si shkarkimi i Bashës, ndryshimet statutore, referndumi, etj.
Ish-lideri demokrat u rikthye në selinë blu, tashmë si pjesë e Komisionit të Rithemelimit të PD dhe kërkon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Por përplasja, akuzat dhe mosnjohja e vendimeve që marrin palët përkatëse vazhdon, duke bërë që situata në Partinë Demokratike të jetë e tensionuar.
Berisha u zgjodh dhe deputet i PD në zgjedhjet e 25 prillit. Mospublikimi i provave dhe pse ka kaluar shumë muaj nga vendosja e tij në listën e zezë të SHBA-së dhe përjashtimi nga Basha ka bërë që mbështetja e Berishës të rritet. Gjithashtu është rikthyer fuqishëm edhe në media, pas qëndrimit të distancuar që ka mbajtur nga momenti kur dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, në vitin 2013. Ai tashmë synon rimarrjen e kësaj partie.
Lindita Nikolla: Kryeministri Edi Rama i besoi ish-ministres së Arsimit postin kryeparlamentares. Një figurë e mbrojtur dhe e vlerësuar nga Partia Socialiste, Nikolla nuk arriti të merrte pëlqimin dhe votën pro të opozitës në Parlament.
Pavarësisht kësaj, Nikolla mori shumicën e votave për t’u zgjedhur si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo kishte qëndruar në hije pas dorëheqjes në dhjetor të vitit 2018. Nikolla dështoi të menaxhonte protestën e studentëve të dhjetorit të dytë dhe i dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit e refuzoi fillimisht kërkesën, por Nikolla këmbënguli në vendimin e saj pas presionit në rritje. Pas dorëheqjes, Nikolla ka patur një tërheqje nga daljet në media, duke vazhduar ushtrimin e mandatit si deputete.
Lindita Nikolla ishte dhe drejtuese e PS-së në Lezhë, post nga i cili u largua pasi mori drejtimin e Kuvendit. Gjatë mbajtjes së këtij pozicioni, Nikolla ka qenë një emër “i sulmuar” nga opozita si dështake apo politikane që nuk i mbante premtimet.
Belind Këlliçi: Ish kreu i FRPD-së ka qenë një nga emrat më të lakuar gjatë këtij viti. Këlliçi bëri një fushatë elektorale aktive për zgjedhjet e 25 prillit, ku arriti të fitonte mandatin e deputetit, pasi Lulzim Basha i dha detyrën e drejtuesit politik të fushatës në qarkun e Tiranës.
Më pas, Basha e zgjodhi Sekretar të Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës, një departament i krijuar për herë të parë brenda kryesisë së PD. Në të njëjtën kohë Këlliçi ishte pjesë e Kryesisë dhe Këshillit të PD prej vitesh.
Ai ishte dhe një nga zërat kryesorë të denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike. Por besimi që Basha pati te Këlliçi, nuk e pengoi këtë të fundit t’i dilte kundër, kur kryedemokrati përjashtoi Sali Berishës nga grupi parlamentar.
Këlliçi ishte një ndër demokratët që u pozicionua në krah të ish-liderit Sali Berisha. Ai e shoqëroi këtë të fundit në një rol mjaft protagonist. Këlliçi ishte pjesë e komisionit që drejtoi punimet në Kuvendit e 11 dhjetorit dhe më pas u zgjodh anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
Ndërkohë që kryedemokrati Basha e shkarkoi nga funskionet që mbante në PD dhe nisi procedurat për zgjedhje të reja në Forumin Rinor të kësaj partie. Procedurë kjo e njëjtë me të gjithë emrat që iu bashkuan Berishës.
Enkelejd Alibeaj: Ish-ministri i Drejtësisë ka marrë gjatë këtij viti më shumë protagonizëm në PD. Roli i tij në parti ka pasur ulje-ngritje, por tashmë është pozicionuar si një nga njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës.
Ky i fundit e caktoi Alibeajn si drejtusin politik në Fier dhe pas zgjedhjeve të brendshme në PD, e zgjodhi nënkryetar. Pas marrjes së këtij posti, Alibeaj ka qenë një nga zërat kryesorë të PD në daljet për mediat.
Ai ka drejtuar ministrinë e Drejtësisë në vitet 2007-2009. Në 2015-ën, Alibeajt iu besua garimi për bashkinë e Fierit, por ishte një qytet tejet i pamundur për t’ju marrë PS-së. Më pas Basha e thirri në qendër për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare në PD.
Alibeaj ka mbajtur poste si drejtues i Departamentit Antikorrupsion në qeverinë demokratike dhe juristi zyrtar i PD-së në KQZ në zgjedhjet e vitit 2005. Kjo periudhë ka qenë dhe koha që ai ka hyrë në Partinë Demokratike.
5 politikanët në rënie:
Lulzim Basha: Ky ka qenë një vit i vështirë për kryedemokratin, pasi u përball me humbjen në zgjedhjet e 25 prillit dhe me tensionet që kanë përfshirë selinë blu. I bindur se këtë herë do arrinte të bëhej kryeministër, Lulzim Basha humbi për të dytën herë radhazi përballë Edi Ramës.
PD dhe partitë e vogla të djathta arritën të merrnin 59 mandate. Pas humbjes, Basha nisi me akuzat për blerje votash, përdorim të administratës dhe shumë të tjera, duke i cilësuar zgjedhjet si ilegjitime. Por pavarësisht këtij qëndrimi, ai zgjodhi të rikthehej në Kuvend.
Nga nisja e sensionit të ri, nuk kanë munguar debatet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama në Kuvend, por ky i fundit ka zgjedhur së fundmi t’i evitojë. Kryeministri i ka deleguar replikat me kryedemokratin, duke i “injoruar” pretendimet apo deklaratat e tij nga foltorja e Kuvendit.
Basha ka qenë dhe nën presionin e ndërkombëtarëve, të cilët i kërkuan largimin e Berishës, pasi u shpall “non grata” nga DASH. Me një vendim individual, kryedemokrati vendosi përjashtimin e “babait politik” më 9 shtator, vendim i cili solli përçarjen e PD dhe ndarjen në dy grupe të demokratëve.
Berisha dhe mbëshetësit e tij hodhën akuza për pazare mes kryedemokratit dhe qeverisë, duke nisur hapat për shkarkimin e Bashës, të cilat u konkretizuan më 11 dhjetor. Kuvendi i jashtëzakonshëm e shkarkoi me 4446 vota të delegatëve. Më pas u zhillua referendum në çdo degë të PD, ku sërish u firmos për shkarkimin e tij. Mbi 43 mijë anëtarë nënshkruan për largimin e Bashës.
Ky i fundit ka bërë një sërë lëvizjesh dhe marrë vendime që nuk e njohin shkarkimin e tij. Basha mblodhi një Kuvend në datën 18 dhjetor, ku deklaroi se vetëm delegatë ishin 5004 persona, ndërkohë që salla kishte rreth dy mijë vende, duke bërë që rrjeti “të shpërthejë” nga memet.
Shumë figura me kontribut të gjatë në PD i kanë dalë kundër dhe ai ka zgjedhur “të hakmerret”, duke i shkarkuar nga funksionet në parti. Berisha dhe mbështetësit e tij i kanë lënë afat deri në 5 janar për të liruar zyrën dhe mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet në kampin blu. Pavarësisht se i mëshon faktit se betejën e ka me Ramën, Basha është fokusuar te përplasjet në PD, çka është përkthyer si dobësim i rolit të opozitës.
Ilir Meta: Presidenti ka pasur tone të ashpra ndaj qeverisë, ndaj të cilës ka lëshuar akuza nga më të ndryshmet deri në zgjedhjet e 25 prillit. Komunikimet e Metës me mediat ishin të shpeshta, ku denonconte situate të ndryshme. Teksa pretendonte për kapje të sistemit të drejtësisë nga qeveria, Meta shprehej prerë se nuk do të lejonte që vota e qytetarëve të tjetërsohej më 25 prill.
Por pas zgjedhjeve, Meta u tërhoq nga daljet publike dhe nga deklaratat e forta. Ai e ka arsyetuar këtë ndryshim të qëndrimit se opozita tashmë është në Kuvend dhe përballjen me qeverinë duhet ta bëjë ajo.
Për herë të parë në historinë e vendit, një president shkarkohet nga Kuvendi. Me iniciativën e socialistëve, Ilir Meta u shkarkua më 9 qershor me 104 vota pro. Ai nuk e ka njohur këtë vendim, duke e cilësuar politik dhe ka shprehur se do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit, korrik 2022.
Socialistët ngritën një komision hetimor, të dytin brenda dy viteve, ku e akuzonin presidentin për shkelje të rënda të Kushtetutës. Tashëm çështja është në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit do të vendosë për “fatin” e Ilir Metës dhe ka caktuar datën 18 janar për të zhvilluar seancën gjyqësore.
Taulant Balla: I konsideruar si krahu i djathtë i kryeminsitrit Edi Rama, ky nuk ka qenë një vit pozitiv sa i përket karrierës politike për Ballën. I përfolur shpesh si ministri i Brendshëm në qeverinë “Rama 3”, Taulant Ballës nuk iu besua kjo detyrë.
Rama e la Ballën jashtë kabinetit të tij qeveritar dhe ky ishte një vendim që “habiti” opinionin publik. Por kjo nuk ishte “goditja” e vetme për Ballën. Kryesocialisti vendosi që ta zëvendësonte Ballën me Damian Gjiknurin. Ky i fundit i mori Ballës partinë dhe Elbasanin.
Rama e vendosi Gjiknurin si Sekretar të PS-së dhe drejtues politik në Elbasan, ndërsa Ballën e kaloi në qarkun e Fierit. Tashmë Taulant Balla drejton vetëm grupin parlamentar të socialistëve.
Pavarësisht distancimit që i bëri Rama, Balla mundohet të jetë aktiv në parlament, duke replikuar herë pas here me deputetët e opozitës. Por replikat dhe debatet janë fokosuar te çështjet e etikës apo zbatimi i masave anti-covid nga ana e deputetëve.
Monika Kryemadhi: LSI pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e 25 prillit, duke arritur të marrë vetëm katër mandate. Ky rezultat bëri që Kryemadhi të distancohej për shumë muaj nga jeta publike dhe politike.
Ajo ia faturoi humbjen njëstrategjie tëgabuar tëLSI-së, duke nisur nga djegia e mandateve e përfunduar nëmospjesëmarrja nëzgjedhjet lokale të2019-ës. Kryemadhi është distancuar edhe nga PD, ku me përfaqësues së saj si Gazment Bardhi ka pasur edhe debate për çështjen e listave. Edhe pse në koalicion me demokratët, Kryemadhi vendosi të garonte me listë më vete në zgjedhjet parlamentare.
Edhe me nisjen e Kuvendit, Kryemadhi nuk ishte active, por së fundmi ka vendosur të reagojë. Ajo e ka përqëndruar vëmendjen te afera e inceneratorëve, duke depozituar në Prokurori të dhëna, që sipas saj implikojnë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.
Tashmë Kryemadhi ka nisur të jetë pjesë e debateve televizive, por më aktive mbetet në rrjetet sociale. Pas humbjes në zgjedhje, kryetarja e LSI-së ka zhvilluar takime me strukturat e partisë në të gjithë vendin për të bërë një analizë. Kryemadhi ka shprehur bindjen se LSI do të ringrihet.
Pandeli Majko: Ish-kryeministri dhe socialisti i vjetër Pandeli Majko nuk mundi të jetë pjesë e Parlamentit të ri. I renditur i 19-ti në listën e qarkut Tiranë, Majko nuk e fitoi mandatin e deputetit. Gjatë qeverisë “Rama 2”, Majkos iu besua diaspora, por ai dështoi në pikën kryesore të punës së tij, të siguronte votën e emigrantëve.
Shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit nuk iu mundësua ushtrimi i të drejtës së votës në zgjedhjet e 25 prillit edhe pse parashikohej në Kodin e ri Zgjedhor. Palët e adresuan fajin te njëra-tjetra në mospërmbushjen e këtij angazhimi të rendësishëm. Megjithatë Majko i kishte paraprirë këtij përfundimi. Rreth dy vite më parë ai shprehej se e drejta e votës mund të përfundoj si një eksperiment i dështuar.