Javën që vjen, në Suharekë do të mbahet “Final 8” i Kupës së Kosovës në basketboll. Sot u nënshkrua kontrata në mes të Federatës së basketbollit të Kosovës dhe Golden Eagle Yllit
Suhareka do të jetë vatër e basketbollit kosovar për pesë ditë të plota javën që vjen, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, Golden Eagle Ylli do ta organizojë “Final 8” të Kupës së Kosovës, që do të mbahet nga 3 deri më 7 shkurt.
Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës e kanë nënshkruar sot kontratën me organizatorët e kësaj gare.
Të dyja palët kanë premtuar spektakël të basketbollit në ngjarjen e parë të rëndësishme të këtij viti.
Pas tërheqjes së klubit të basketbollit Rahoveci, shtëpia e basketbollit kosovar ia besoi organizimin e këtij evenimenti Yllit.
Dy ndeshje do të zhvillohen të mërkurën, dy të enjten, gjysmëfinalja të premten dhe finalet tek femrat dhe meshkujt të dielën.
FBK-ja e ka bërë kërkesën që të lejohet prezenca e shikuesve në “Final 8” të Kupës, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Drejtuesit e Golden Eagle Yllit ndihen të nderuar dhe të privilegjuar që iu besua organizimi i një ngjarje të madhe të basketbollit.
Ata besojnë se gjithçka do të shkojë mirë, edhe pse kësaj radhe do të jetë paksa më ndryshe, shkaku i pandemisë COVID-19.
Këtë radhë, kjo garë do të quhet Vllesa Pagesa Kupa e Kosovës.
Këtë garë do ta transmetojnë Kujtesa dhe T7. /Gazeta Express/
Thellë nga natyra e paprekur, në zemër të Bjeshkëve të Istogut, nga mali madhështor i Moknës, shtrihet një perlë...