Uzurpatorët e posteve sportive, në ofensivë - Gazeta Express
string(42) "uzurpatoret-e-posteve-sportive-ne-ofensive"

Uzurpatorët e posteve sportive, në ofensivë

OP/ED

Gazeta Express

25/12/2020 14:42

Nuk e kanë fajin njerëzit e rëndomtë, por faji është te sistemi i kapur, i cili qe 20 e më shumë vjet me mashtrime dhe gënjeshtra sundon. Por, çdo fillim e ka edhe mbarimin e vet dhe besoj se e drejta do të ngadhënjejë

Shkruan: Agim Kasapolli

Lexo Edhe:

Kosova do të ketë sport të suksesshëm dhe pa njolla, atëherë kur ta kuptojë se ata që e udhëheqin këtë lëmi të rëndësishme të vendit, i cili i numëron rreth 23.000 sportistë me 38 federata, të jenë në shërbim të sportistëve, të jenë njohës të spikatur të lëmive sportive, të jenë persona të pakorruptuar dhe të pakomprometuar dhe kurrsesi të dënuar me burg, sidomos për shkak të hajnisë apo mashtrimeve, të jenë persona apolitikë dhe t’i ushtrojnë postet në mënyrë vullnetare, e jo me rroga të majme në kundërshtim me statutet e federatave ndërkombëtare dhe të KON-it. Kjo mjerisht ndodhi te ne. Prej paslufte e deri me sot (me përjashtime të vogla), federatat dhe KOK-u, duke e shndërruar demokracinë në anarki totale, arritën që bordet apo udhëheqësit sportivë t’i shndërrojnë, me pëlqimin e partive politike, në prona private, përmes të cilave klanet që prezantohen si udhëheqës sportivë, bëjnë shpëlarjen e parave të pista, duke zaptuar postet me ujdi politike, por në shumë raste dhe me urdhra të SHIK-ut. Sekretari gjeneral i KOK-ut nga posti i këshilltarit në ministri të Bujqësisë, u katapultua si antisportist dibiduz, i cili kurrë në jetën e vet me sport as nuk është marrë e as që e ka ndonjë përgatitje profesionale. Mirëpo, me urdhër të “Lejlekut” u vendos në ballë të oxhakut, fillimisht si anëtar i bordit në KOK e pastaj pa konkurs u zgjodh sekretar gjeneral i këtij asociacioni!? Ka edhe asi udhëheqës sportivë që u dënuan me burg, të cilët, u bë çka u bë, burgun me sy s’e panë. Autoritetet shtetërore që janë përgjegjëse, në këtë rast Ministria e Sportit, jo vetëm që nuk i largoi së paku përkohësisht deri në vendimin definitiv të gjykatave, por shtirej se nuk po ndodh asgjë. Prandaj ata janë ende aty, disa qe dy dekada, me kuvende të kurdisura, bile gjoja me monitorimin nga shteti, përkatësisht nga drejtori i departamentit, që sipas postit i takon të jetë “vëzhgues”, i cili nga detyra e truprojës arriti brenda natës të fitojë titullin doktor shkencash sportive, bile edhe shkollimin shteti ia pagoi nga paratë të taksapaguesve kosovarë! Ndërsa, institucioni më i lartë sportiv, KOK-u, si organizatë joqeveritare është shtet mbi shtet sepse ai i cili qe dy e më shumë dekada është në krye të KOK-ut, i shërbeu atyre që veten e quajtën sipas thënies së Llujit XV “Shtet jam unë”. Ata më nuk janë këtu, janë në Hagë! Ndërsa, KOK-u nga paniku që e ka kapluar sidomos pas rënies së Qeverisë këto ditë punon natë e ditë që në federata të qëndrojnë të njëjtit njerëz, sepse ndryshimet eventuale në krye të federatave iu rrënon piramidën dhe zbulohen pisllëqet dhe keqpërdorimet marramendëse të cilat janë bërë në emër të rreth 23.000 sportistëve gjatë dekadës së fundit.

Po si manipulohen zgjedhjet prej pasluftës në Kosovë?

Sistemet zgjedhore komuniste në të kaluarën, në baza, klube, federata dhe KOK zhvilloheshin me verifikime dhe kontroll të rreptë, emrat e propozuar së pari verifikoheshin në komitete komunale dhe në atë krahinor, dhe pas verifikimeve të hollësishme moralo-politike emri i kandidatit për kryetar ishte një formalitet. Pas çlirimit të Kosovës e deri më sot, rregulloret dhe statutet e federatave sportive janë të trashëguara nga sistemi monist me revidime dhe përmirësime edhe më të mbrapshta se në sistemin monist sepse tani funksionimin e sportit në Kosovë e kanë shndërruar në interesa të ngushta klanore dhe mafioze.

Ja shembujt konkretë të keqpërdorimeve të rregulloreve dhe statuteve:

Në të gjitha klubet e futbollit të superligës dhe ligës së parë ekzistojnë udhëheqësit partiakë. Në atë qytet ku kryetari i komunës i takon subjektit politik, p.sh. LDK-së, klubi dirigjohet nga ajo parti dhe të gjithë urdhrat vijnë dhe zbatohen nga ai subjekt politik. Kryetarët e klubeve janë ata që i financojnë klubet, pa ndonjë verifikim të mjeteve materiale, ndërsa anëtarët tjerë të udhëheqësisë janë vetëm numra. Ndërsa, klubet e ligave të rangut më të ulët udhëhiqen nga një apo dy individë, të cilët janë të rëndësishëm për FFK-në vetëm për votën e tyre në zgjedhjet për kryetar dhe anëtarë tjerë të bordit të nivelit të FFK-së.

Se këtë vend e ka marrë pusi flet më së miri kuvendi i fundit zgjedhor i datës 18 dhjetor, i Federatës së Basketbollit të Kosovës, i kurdisur si sahati sirkjusuf. Tani ministresha e sportit në largim, Vlora Dumoshi, paratë e ndihmave për rimëkëmbjen e sportit, të cilat i ndau Qeveria për shkak të pandemisë, i shpërndau sipas kandarit partiak dhe diletantizmit të skajshëm, si dhe qejfeve personale. Së pari ia ndau 100.000 (njëqindmijë) euro klubit të volejbollit të Zubin Potokut, klub që bën gara në Serbi dhe nuk e pranon Kosovën shtet. Pastaj në vend se t’ua ndajë paratë drejtpërdrejt klubeve, ajo jo rastësisht ia deponoi 470.000 euro Federatës së Basketbollit, kurse këta Qiqibajnuza e FBK-së këtë lojë të pistë e kurdisën në Tiranë me rastin e promovimit të ligës Shqiptaro-Shqiptare, e cila e pati të caktuar datën e fillimit, tanimë u harrua. Mirëpo, këta gënjeshtarë të klanit të FBK-së të cilët me rrena ia kalojnë baronit Minhauzen, me para të taksapaguesve arritën t’i kushtëzojnë para zgjedhjeve delegatët dhe faktikisht i blenë votat nga përfaqësuesit e klubeve, të cilët me paratë që morën premtuan votën dhe të gjithë ata të pranishmit në këtë kuvend, gjithsej 29 ishin për Arben Fetahun, i cili për çudi edhe kësaj here nuk pati kundërkandidat?! Jo pse nuk pati të interesuar por me mjetet që ua ndau delegatëve, përkatësisht klubeve, i siguroi 29 vota në këtë kuvend formal, sepse allishverishi dhe zgjedhja e kryetarit bëhet në kuzhinat e qarqeve sekrete dhe si zakonisht kryetari zgjidhet para mbajtjes së kuvendit zgjedhor. Ajo që më së shumti solli habi ishte zgjedhja e Artan Çerkinit si anëtar i ri i bordit, por jo pse nuk e meriton, përkundrazi ky si ish-lojtar i Prishtinës, jurist i spikatur dhe intelektual, e meriton të jetë edhe kryetar i kësaj federate, por ajo që është zhgënjyese si mund të pranojë një jurist, i cili prej çlirimit është në mbrojtje të ligjit, si avokat i niveleve të larta të vendit. Si ndodhi që ky si jurist në mënyrë të kundërligjshme pranoi të jetë pjesë e kësaj paçavure dhe si përfaqësues i K.B. Istogut! Përkundër faktit se Istogun as në panoramë postare nuk e ke parë, ndërsa bazën deleguese e more pikërisht nga ky qytet! E di, besoj, edhe ai se në këtë kuvend të turpit pati edhe shumë të tjerë që u kontrabanduan me baza deleguese të rrejshme, mirëpo ata me mashtrime të këtilla veprojnë me dekada, prandaj ata aty qëndrojnë!

Derisa mendohet dhe veprohet në këtë mënyrë nuk ka ndryshim pozitiv

Kjo lëmi e shoqërisë ka nevojë urgjente të lirohet prej njerëzve të cilët e kanë sjellë në këtë gjendje sportin. Është imediate që sporti të udhëhiqet nga sportistët e vërtetë të cilët kanë dhënë më të mirën për sportin, por jo nga njerëzit profiterë, narcizoidë, arrogantë dhe egoistë, të cilët sportin e shohin nga prizmi i përfitimit dhe realizimit të dëshirave të tyre dhe veprojnë ashtu sikurse sporti është pronë e tyre private. Artan, kam respekt për profesionalizmin e juaj, por edhe kam simpati për lojën e basketbollit që e bëre si fundor i Prishtinës, kësaj here e kam edhe një pyetje për ju si jurist:

Si mundet dhe ku ndodh në ndonjë vend në rruzullin tokësor (edhe në ato shtete totalitare), që një kandidat i vetëm për kryetar federate t’i marrë nënshkrimet prej të gjithë delegatëve në të gjitha komunat, duke i joshur me poste, me para, apo me favore tjera, por shpesh ka ndodhur që të kërcënohen dhe të dënohen ata që janë të padëgjueshëm dhe të mos lejohet së paku edhe një kandidat tjetër, qoftë ai edhe formal që të kandidojë? (Kjo po na ndodh në KOK dhe në të gjitha federatat me 2-3 përjashtime). Ju si jurist, ç’mendim keni për rregullën e “Bajram Begut” ku kryetari i Federatës, përveç anëtarëve të bordit të cilët “zgjidhen” në kuvend, ka të drejtë t’i inkuadrojë edhe dy pajdasha në bordin e ri? Besoj se si jurist e keni të qartë se këtu bëhet fjalë për kompletimin e klanin mafioz që basketbollin e kanë paravan për t’i vazhduar pisllëqet dhe duke varrosur në tërësi këtë degë sportive.

Prej 38 federatave në krye me KOK-un (me përjashtim të 3-4 federatave) të gjitha veprojnë njësoj, prandaj qe plot dy dekada jetojnë dhe veprojnë në rehati, duke mashtruar rreth 23.000 sportistë dhe mijëra e mijëra adhurues të sportit në Kosovë dhe diasporë. Është thënë, jo pa të drejtë, se nuk e kanë fajin njerëzit e rëndomtë, por faji është te sistemi i kapur, i cili qe 20 e më shumë vjet me mashtrime dhe gënjeshtra sundon. Por çdo fillim e ka edhe mbarimin e vet dhe besoj se e drejta do të ngadhënjejë.