Platoni, «poeti» dhe «realiteti» - Gazeta Express
string(27) "platoni-poeti-dhe-realiteti"

Gazeta Express

17/11/2020 10:37

Platoni, «poeti» dhe «realiteti»

Gazeta Express

17/11/2020 10:37

Parmenidi besonte se gjuha (shprehja) prek përherë atë që është. Atë që ekziston. Është kompetencë e «arsyes së shëndoshë», asaj që e percepton atë pastaj ta filtrojë, kategorizojë atë ç’tha gjuha. Në tekstin e fundit të Arben Idrizit çka ekziston: gënjeshtra, mllefi apo vërtet kosovarët për kriter të identitetit të tyre (politik, kulturor?) kanë kriminelin e luftës – siç e kanë jo pak shoqëri – me tapi gjykatash – të kësaj bote

Shkruan: Xhemal AHMETI

Një pyetje dhe shumë tezat e Arben Idrizit:

tekstin e botuar me 16/11/2020, në «GazetaExpress» poeti politik kosovar Arben Idrizi e parashtron pyetjen formëtitulli «A e përcaktojnë identitetin kolektiv kriminelët e luftës»? Në nëntitull e ofron tezën e parë:

  1. Kriminelët e luftës dhe mbështetësit e tyre përbëjnë shumicën. Përcaktojnë rrjedhat dhe çimentojnë bazat. Si andej, urës së Ibrit, si këndej.
  2. Gjykata Speciale është themeluar me këmbënguljen e sponsorëve të pavarësisë së Kosovës.
  3. Njerëzit që mendojnë se vendet që kanë shpëtuar Kosovën duan ta dëmtojnë atë e kanë humbur arsyen dhe «duhet të jesh tepër i ndyrë të thuash gjënë që nuk e beson as vetë».
  4. Individët e shquar ndikojnë në mënyrë të caktuar dhe të pamohueshme në shoqëri dhe përcaktojnë atë që konsiderohet si shpirt i shoqërisë dhe atë në gjitha fushat shkencë, arte, sporte.
  5. Pas një ekskursioni personazheve «pozitive», duke marrë për shembull futbollistin zviceran me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri kalon tek terroristi Lavdrim Muhaxhiri.
  6. Sipas kriterit, që paska formuluar sociologu polak në SHBA Jan Tomasz Gross «Heronjtë e luftës, të vdekurit dhe të gjallët, nëpër histori, përcaktojnë «kriterin e identitetit kolektiv». «Ne krenohemi me ta. Gjesti i tyre është vlera jonë, morali ynë».
  7. Kosovarët, sipas autorit, kërkojnë që mos të gjykohen heronjtë e tyre edhe nëse kanë vrarë civilë, ngase në luftën për liri nuk paska krim. Sipas kosovarëve të autorit ata duan që heronjtë mund t’i dënojnë vetëm kur i kanë vjedhur ata e jo edhe për likuidimin e serbëve, tjerëve.

Sintezës i paraprijnë sërish pyetja e fillimit «A janë kriter i identitetit kolektiv kriminelët e luftës?». Edhe njeherë më konkretisht: A janë kriter i identitetit kolektiv të shumicës së shtetatsve kosovarë kriminelët e luftës?

KONSTATIMI I TIJ është ky:

Sigurisht se po. Shumica absolute e kosovarëve si kriter të vetin parësor identitar ka heroin që qenka kriminel lufte, dhe i cili po «u dënua» do të dënohet edhe identiteti kolektiv i kosovarit. Dhe: «mendoj unë, kështu duhet të jetë. Dhe, mendoj prapë unë, vetëm kështu duhet të jetë. Për të mirën tonë», përfundon Arben Idrizi.

ANALIZA E TEZAVE

  1. Asnjëri nga të pandehurit në Hagë nuk është shpallur kriminel lufte nga asnjë instancë. Njerëzit që i mbështesin i mbrojnë si të pafajshëm. Andej urës së Ibrit mbrohen e glorifikohen Millosheviqi, Karaxhiqi e plotë tjerë që janë të shpallur si kriminel lufte nga një gjykatë ndërkombëtare.Prandaj teza për andej qëndron.
  2. Gjykata speciale nuk është themeluar me këmbënguljen e sponsorëve të Republikës së Kosovës, por si kompromis për t’i ikur krijimit të saj nga OKB sipas preferencave të Rusisë, Kinës dhe ca anëtarëve të këtij blloku, pas akuzave monstruoze rreth “shtëpisë së verdhë”. (Së fundi Williamson).
  3. Ndërhyrja e aleancës veri-atlantike në Kosovë nuk ndodhi për ta shpallur pavarësinë. Ajo ndodhi e bazuar në arsyetimin për të mos lejuar edhe një gjenocid, katastrofë humanitare si në Ruandë e Bosnjë. Ajo ndodhi në një kohë kur ishin dëbuar mbi 1 milion njerëz, ishin vrarë e masakruar mijëra gra, fëmijë e pleq dhe ishin përdhunuar mijëra gra. Nuk ishte NATO e as ndërkombëtarët ata që imponuan pavarësinë e Kosovës por lufta e shqiptarëve që ishin aty brenda me armë në duar dhe që nuk pranonin më asnjë zgjidhje tjetër përveç ndarjes. Prandaj serbët nuk pranonin asnjë kompromis ngase e dinin këtë.
  4. Individët e shquar të një shoqërie përbejnë të ashtuquajturën kastë të “miteve të përditshmërisë”, të cilat u shërbejnë si vektorë individëve (motivatorë) dhe shtresave të caktuara (rinisë, sportdashëve, atyre që duan të bëhen poetë) si Shaqiri por nuk mund të jenë kriter për përcaktimin historik, kulturor dhe politik të një shoqërie – ata nuk përcaktojnë identitetin e një kolektivi (shoqërie sipas konceptit të Idrizit).
  5. Sjellja në krahasim e futbollistit Shaqiri me terroristin islamik Muhaxhirri madje mund sillet si ilustrim të dy poleve ekstreme ndërmjet të së mirës dhe të së keqes (relative këto) në ndonjë disput filozofik por assesi në kontekst me heronjtë dhe mitet politike, kulturore dhe historike të një shumice. Ky është një lapsus i rëndë analitik, gabim që e bëjnë të padijshmit ose agjitatorët me synime të caktuara politike. (Madje pa u futur në këtë reagim në konceptet komplet konfuze të autorit rreth heronjve, miteve, kolektivit etj.)
  6. Është e vërtetë se vlerat e shumicës së shtetasve të Republikës së Kosovës, morali (shikuar edhe nga shumica e deklaratave të partive, mediave, eksponentëve publik) i tyre bazohen në luftën e UÇK-së dhe përpjekjeve të kosovarëve për pavarësi dhe çlirim nga serbët. Dhe kjo është gjëja më normale në botë. Nuk ka indikacione se ndonjë parti politike (si përfaqësuese e demosit politik) apo ndonjë grup shkencëtarësh, sportistësh, klub shkrimtarësh që thotë se liria jonë i kanë këto pesë emra dhe hiç më shumë.
  7. Kosovarët që reagojnë kundër Gjykatës Speciale e bëjnë këtë ngase shohin se tendenca është kriminalizimi i gjithë elitës së dikurshme të UÇK-së me dosje të njohura dhe të përgatitura nga shërbimet serbe.

Në sintezë Arben Idrizi e shpalon motivin. Ai e konsideron UÇK-në organizatë kriminele. Nuk ia del ta thotë, nga mungesa e guximit apo se megjithatë dora nuk i nënshtrohet mllefit por trurit të tij, i cili si duket e alarmon duke dashur t’ia bëjë me dije se bindjet e tij nuk janë fakte e këto janë komplet ndryshe, të tilla siç i radhitëm më lartë. Shikuar nga aspekti strukturor dhe faktik, ky teskt i Idrizit është pamflet mllefi (burimin mund t’ia di vetëm autori) dhe njëri nga tekstet më të dështuara të tij.

PËRFUNDIM

Njeriut që i jepet e drejta t’i bëje publike bindjet e veta mediave me recipim masiv duhet që në shenjë respekti e përgjegjësie ta plotësojë një kusht minimal: t’i shoqërojë ato, bindjet e tij, me argumente të arsyeshme. Edhe nëse faktet e ofruara dërrmohen nga kundërfaktet ai vazhdon të mbetet i respektuar si kontribues i diskursit. Si të sillemi ndaj Arbenit që shpall identitetin kolektiv kosovar kriminel? Ose për kriter bazë ta ketë kriminelin e luftës. Narrativë që nateditë i sugjerohet botës nga Serbia. Pa fakte. Një shtet që bëri gjenocidet më të tmerrshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe që ende nuk kthen kufomat e fshehura territorit të vetë? Në rastin e Arben Idrizit nuk të ik dot pa të ardhur ndërmend Nietzsche që thoshte se «bindjet janë armiqt shumë më të rrezikshëm të së vërtetës se sa gënjeshtrat». Gënjeshtrat serbe përballohen ngase ato nuk i beson askush në botë përveç rusëve dhe kinezëve. Po ç’ti bëjmë Arben Idrizit, autorit të një medieje me audiencën më të madhe brenda kulturosferës shqiptare, që gënjeshtrat serbe i ka bërë bindje, të cilat donë t’i imponojë si të vërteta absolute opinioni shqiptar? Bindjet e llojit, të bazuara në gënjeshtra, ose siç dëshmuam më lartë, në shpifje e jo fakte, janë de facto ato që edhe sollën Gjykatën. Platoni kishte të drejtë. Jo vetëm në kontekst me shtetin. Por edhe sa u përket për agorave. Në rastin e Arben Idrizit, po kishte të drejtë.