Motivi i një vrasjeje - Gazeta Express
string(21) "motivi-i-nje-vrasjeje"

Motivi i një vrasjeje

Gazeta Express

22/08/2020 9:49

Dritan Dragusha

Zoti është një lojtar i keq. Ai i vendos rregullat dhe i thyen ato, varësisht nga tekat e tij. Ai është i pa alibi për veprimet që bën, thjesht është një vrasës sa i tmerrshëm po aq gjakftohtë me ata që vetë i krijoi. Ekzaltimi i tij arrin kulmin nëpërmes mizorive që ua shkakton atyre. Ky Zot është i ligë, prandaj është edhe vrasës i pjellës së vet. Kështu paraqitet Zoti në librin e fundit të shkrimtarit José Saramago, Kaini. Në këtë libër Saramago rishkruan historinë biblike, një përmbysje e tërësishme e Dhiatës së Vjetër. Për Saramagon, Kaini është historia e njerëzimit, dhe siç e vërejmë në të gjithë krijimtarinë e tij letrare, Saramago ishte një nga ata autorë shumë të shqetësuar me gjendjen e njerëzimit. Nëpërmes personazhit Kaini, ai na e përshkruan këtë gjendje. Lufta e përhershme e njeriut për mbijetesë, e përzier me ndjenjën e braktisjes apo të mospasjes kurrë një bashkudhëtar besnik, paraqitet mjaft mirë në këtë libër. Pra, Kaini i Saramagos është njeriu i cili, edhe përkundër fuqisë dhe ligësisë së Zotit, prapëseprapë nuk heq dorë. Kaini është vrasës po aq sa Zoti, por përkundër Zotit, Kaini nuk e përligj vrasjen e tij ashtu siç bën Zoti. I dënuar për të qenë pelegrin që nuk është në kërkim të Zotit, por në kërkim të shijimit të një momenti në jetë, që nuk kërkon prehje e as paqe të përhershme, por një qetësi shpirtërore momentale, e që për shkak të kësaj kërkese kaq minore në dukje, por shumë të papërballueshme për Zotin koprrac, ai do të vuajë përjetësisht.

Lexo Edhe:

Vrasja e Abelit nga Kaini nuk ishte se vërtet ky i fundit ishte një kriminel i lindur, por ishte zilia e tij e nxitur nga ky Zot përçarës që e bëri ta vrasë vëllain e tij. Për Saramagon, Kaini po luante në skenarin e Zotit. Beteja e Kainit është beteja e përhershme e njeriut me Zotin, prandaj, në këtë pikë Kaini i Saramagos është i gjithë njerëzimi, sikur që i gjithë njerëzimi është lozë e Kainit. Kopshti i Edenit, ky gjyq i madh i universit, parajsa prej së cilës burojnë të gjitha vuajtjet biblike, për Saramagon është zanafilla e burimit të mjerimit njerëzor. Dërgimi në botën e hiçit të Adamit dhe Evës nga ana e Zotit, për shkak të ngrënies së frutit nga pema e njohjes, është pasqyrim i mendjes së krimbur të Zotit. Sprovat nga më të mundimshmet që vijnë një pas një për ta sfiduar njeriun, në fakt janë dënime të mbështjella në smirën e Zotit. Këtë Kaini i Saramagos e kupton dhe pikërisht për këtë i kundërvihet atij. Kur Zoti e akuzon Kainin për vrasjen e vëllait të tij Abelit dhe pastaj e dënon me bredhje të pambarim, Kaini i kundërvihet me kundër akuzë: “Ç’i bëre vëllait, pyeti ai, dhe Kaini iu përgjigj me një tjetër pyetje, Mos isha gjë roje i vëllait tim, Ti e vrave, Është e vërtetë, por fajtor i parë je ti (…) Unë doja të të vija në sprovë, E kush je ti që do të vësh në sprovë atë që ke krijuar vet, Unë jam zoti, sovran i të gjitha gjërave, Dhe i gjithë qenieve, do të thoshe ti, por jo i imi dhe as i lirisë sime, I lirisë për të vrarë, Vetë ti u tregove i lirë kur më le të vrisja Abelin, kur e kishe në dorë ta shmangie vrasjen…”. Pra, si në ketë diskutim edhe në shumë të tjera brenda librit Saramago na e paraqet në mënyrë të zhveshur luftën e përhershme të mosbesimit të njeriut ndaj Zotit dhe anasjelltas. Mirëpo, Zoti nuk do të qante fort kokën nëse Kaini e kishte vrarë Abelin, jo, ishte pikërisht e kundërta, sepse me vrasjen e Abelit, Kaini kishte vrarë idenë e njeriut të mirë ashtu siç Zoti kishte dëshiruar. Rebelimi i Kainit nuk është pse Zoti vret, sjellë katastrofa të tmerrshme, jo, ai rebelohet për faktin se Zoti nuk është i sinqertë në ndërmarrjet e tij. Grykësia e tij për të vrarë në emër të sprovës e tejkalon çdo kufi. Të vendosësh në zjarr fëmijët e Sodomës në emër të sprovës, kjo për Kainin është thjesht një grykësi, një etje e pangopur për gjak. Komplekset e shumta Zoti i fsheh nëpërmes dënimit që ia bën njeriut.

Gjithë këtij raporti, tërë kësaj gjendje të krijuar nga Zoti, Kaini në fund do t’i dalë përballë planit të tij. Pasi që Zoti kishte vendosur që ta shfaroste njerëzimin, këtë krijesë të ligë, siç e quante ai, e që vetë e kishte krijuar, vendos që Noah me familjen e tij të futet në një barkë, që kur të ndodhë përmbytja apokaliptike këta të shpëtojnë dhe të jenë njeriu i ri në tokën e djegur. Mirëpo, Kaini krejt rastësisht gjendet në çastin e fundit, por të duhur në zonën ku Noah po ndërtonte barkën dhe që kjo rastësi tregon se Zoti nuk është i plotfuqishëm (sic!). Thuhet se rasti është mbret i botës, e siç e dimë, një mbretëri nuk mund ta udhëheqin dy mbretër. Zoti kishte një plan, ai mendonte që njeriun e ri që përfaqësonte Noah me familjen e tij, ta bënte zotërues të vetëm të tokës, mbi idenë se kjo do të jetë fara e njeriut të urtë dhe të ndëshkueshëm. Pra, Zoti dëshironte që krijesa e tij të ishte kokulur, e nënshtruar, por nuk e dinte se brenda barkës ishte futur krimbi, ashtu siç futet krimbi brenda një molle të shëndoshë. Pasi që barka kishte ndaluar në limanin e fundit dhe pasi që ditët e zeza për njerëzimin kishin marrë fund, hapet porta e madhe e barkës, shpëtimtares së njerëzimit, këtij njerëzimi të urtë që tani përfaqësohej nga Noah, mirëpo, prej saj del i vetëm Kaini. Për çudi, Zoti është i habitur kur sheh përpara tij krijesën e tij të vetme të gjallë. Kjo sikur tregon për një marrëdhënie sadomasokizmi mes Njeriut dhe Zotit. Këtu Saramago në njëfarë forme e paraqet luftën e përjetshme mes Zotit dhe Njeriut. Pra, sipas Saramagos, Kaini është shpëtimtar i njeriut, i atij njeriu që nuk dorëzohet, që nuk pranon të nënshtrohet dhe mbi të gjitha i atij njeriu që e pranon se mund të jetë i keq e edhe vrasës, por asnjëherë njeri i nënshtruar dhe i ligë.

Prandaj, libri Kaini, më shumë se libër, është një revoltë që shprehë padëgjueshmërinë e njeriut, jo të atij njeriu të mirë, që jeton brenda moralit kanonik, por i njeriut që i thyen rregullat, atij që për asnjë çast nuk frikësohet as nga e shkuara, e aq më pak nga e ardhmja, sepse ai është i brengosur me të tashmen. Kështu, Saramago nëpërmes personazhit të Kainit na fut në një botë të menduari që edhe sot e kësaj dite paraqet një domosdoshmëri. Njeriu sot kalon në mes të dikotomisë të së mirës dhe së keqes, kurse Kaini i Saramago-s është kapërcim i kësaj dikotomie. Ai është përtej së mirës dhe së keqes, është njeriu që jeton i mishëruar me hiçin. Fuqia e këtij njeriu është fuqia e tejkalimit të konstruksioneve të paravendosura. Çdo përpjekje/veprimi tij nuk ka tendencën e universalizimit, por është (ri)rreshtim i përhershëm në botën e njëjtë. Gjithçka është tani, asgjë përherë, siç duket kjo është motoja e Saramagos që na e përcjellë nëpërmes librit Kaini. Prandaj, kjo edhe e (ri)thekson shqetësimin e autorit për gjendjen njerëzore, për brishtësinë e saj. Saramago nuk është antireligjioz, ai është më shumë se kaq, është antidogmë dhe Kaini është shëmbëlltyra e cila na përfaqëson. Pra, romani Kaini nuk është vetëm një rrëfenjë e adaptuar biblike, por është një shprehje e tronditjes njerëzore karshi vetes dhe asaj që na rrethon. Ky libër përmes Kainit paraqet ankthin e përhershëm të njerëzimit.