Klan Kosova: Kryeministri Hoti gjatë gushtit udhëton për në ShBA, do të pritet nga Pompeo dhe Palmer - Gazeta Express
string(98) "klan-kosova-kryeministri-hoti-gjate-gushtit-udheton-per-ne-shba-do-te-pritet-nga-pompeo-dhe-palmer"

Klan Kosova: Kryeministri Hoti gjatë gushtit udhëton për në ShBA, do të pritet nga Pompeo dhe Palmer

Gazeta Express

31/07/2020 7:05

Gjatë muajit gusht, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, planifikon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të Klan Kosovës.

Lexo Edhe:

Në këtë vizitë ai pritet të takojë zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe si temë kryesore pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

Sipas burimeve të klankosova.tv, Hoti pritet të takojë Sekretarin e Jashtëm të SHBA-se, Mike Pompeo. Një vizitë e tillë zyrtarisht nuk është konfirmuar as nga kryeministri e as nga zyrtarët tjerë qeveritarë në Kosovë, përkundër insistimit të Klan Kosovës.

Përpos tij, një takim pritet të ndodhë edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer, i cili është emisar special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Që nga rinisja e dialogut në Bruksel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të involvuar dhe të informuar me procesin nëpërmjet zyrtarit të lartë në Departamentin e Shtetit, Philip Reeker.

Klan Kosova mëson se Hoti dhe Reeker janë duke komunikuar intensivisht lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Nuk dihet nëse shefi i ekzekutivit kosovar mund të takohet edhe më emisarin special të presidentit Donald Drump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Burime të Klanit theksojnë se ShBA-të i kanë dhënë një shans BE-së që të dëshmojë përkushtimin dhe vendosmërinë për ta sjellë në binarë dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë, mbetet pikëpyetje e hapur nëse BE do të arrijë t’i bindë palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe ligjërisht obligative për Kosovën dhe Serbinë.

Vizita e Hotit në Amerikë pritet të pasojë pas dështimit të takimit të Washingtonit, në momentin kur u publikua aktakuza e pakonfirmuar nga Prokuroria Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veselin.

Ai takim ishte planifikuar të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë nën përkujdesjen e Presidentit Amerikan, Donald Trump, dhe emisarit te posaçëm të tij për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.