string(53) "klubet-e-sportit-te-pakenaqura-me-vendimin-e-qeverise"

Gazeta Express

16/07/2020 12:00

Klubet e sportit, të pakënaqura me vendimin e Qeverisë

Gazeta Express

16/07/2020 12:00

Klubi i notit “Nemo” ka thënë se ata bashkë me 23 klube dhe biznese sportive të tjera janë të pakënaqura me masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria shkaku i koronavirusit.

Në mesin e masave të ndërmarra të hënën nga Qeveria e Kosovës për luftën kundër COVID-19 ishte edhe vendimi për pezullimin e fitneseve, pishinave, shkollave të futbollit dhe sporteve tjera që zhvillohen në ambiente të mbyllura, transmeton Gazeta Express.

Ky lajm i ka lënë të pakënaqura disa klube, të cilat tani kanë dërguar kërkesë në Ministrinë e Kulturës, RInisë dhe Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Duke konsideruar situatën e krijuar në vendin tonë – me vendimin e ri të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19, është specifikuar pezullimi i të gjitha aktiviteteve rekreative, kulturore dhe sportive në ambiente të mbyllura”, thuhet në njoftimin e 24 klubeve dhe bizneseve sportive.

“Përkundër situatës alarmante të pandemisë në vendin tonë, ne si komunitet i sportit shprehim pakënaqësinë dhe shqetësimet tona në lidhje me vendimin e lartëpërmendur. Është  hera e dytë me rradhë që bëhet pezullimi i veprimtarisë së bizneseve dhe klubeve sportive në tërë territorin e Kosovës”.

“Studime të shumta shkencore, protokole të ndryshme të shteteve dhe organizatave botërore përkatëse, japin shembuj specifik se si mund të menaxhohen aktivitetet sportive përgjatë  pandemisë. Njëkohësisht, në konsultat tona me mikrobiologun Dr. Lul Raka – ai ka theksuar se me masa specifike dhe mbikëqyrje rigoroze, sporti nuk është e nevojshme të pezullohet”.     

“Pezullimin total të aktiviteteve sportive në ambiente të mbyllura e konsiderojmë të paarsyeshëm. Vendimet ad-hoc të cilat prekin një industri të tërë janë të papërballueshme për bizneset dhe klubet sportive, për sportistët profesional, rekreativ dhe ata me nevoja shëndetësore”. ‪

“Ne si grup i bizneseve dhe klubeve sportive, kërkojm nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të rishqyrtoj sa më parë me Qeverinë  e Kosovës vendimin për pezullimin e aktiviteteve sportive në ambiente të mbyllura, dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës të rikonsideroj përkrahjen e këtij vendimi dhe të mbrojë interesat e komunitetit sportiv”.

“Marrë parasysh masat specifike të cilat janë ndërmarrë për industritë e tjera në vendin tonë  (p.sh. Gastronomia; Qendrat tregtare; Institucionet) është e domosdoshme që para se të ndalohet veprimtaria sportive, të merren masa specifike për parandalimin e përhapjes së COVID – 19 përgjatë aktivitetit sportiv”.

“Kërkojmë nga çdo federatë e sportit në Kosovë të marrë iniciativë të menjëhershme për hartimin apo repsektimin e protokoleve për secilin sport në veçanti dhe të merren masa rigoroze për mbikëqyrjen e respektimit të këtyre masave nga bizneset dhe klubet sportive”.

“Përgjatë kësaj periudhe të vështirë, sporti duhet të trajtohet si mekanizëm për ruajtjen e shëndetit mental dhe mirëqenies kolektive. Poashtu, është obligim profesional përkujdesi ndaj sportistëve garues – që janë aset shumë i rëndësishëm i shtetit të Kosovës. Për këtë, mbyllja totale e sportit do të ketë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë tonë”.

“Me shpresë se do të marrim përgjigje sa më të shpejtë nga ana juaj për kërkesat e parashtruar më lartë, po e përmbyllim këtë email duke shprehur gatishmërinë për të ju ofruar ndihmë vullnetare karshi zhvillimeve të mëtutjeshëm të sportit në vend”.