55 zëra të deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën poshtë 21 mijë nënshkrime për Trustin - Gazeta Express
string(86) "55-zera-te-deputeteve-te-vetevendosjes-qe-hodhen-poshte-21-mije-nenshkrime-per-trustin"

55 zëra të deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën poshtë 21 mijë nënshkrime për Trustin

Lajme

Gazeta Express

20/01/2023 6:53

Për herë të dytë radhazi, në Kuvend dështoi së votuari projektligji për tërheqjen e 30 përqindëshit nga Trusti pensional. Ishin deputetët e Vetëvendosjes ata që sërish kthyen prapa këtë iniciativë, që ishte mbështetur edhe nga një pjesë e qytetarëve, përmes peticionit për Trustin. Dështimi në votim nuk u prit mirë nga opozita, që një veprim të tillë të partisë në pushtet e konsideruan si anashkalim të kërkesave që qytetarët kanë.

Momentit të hedhjes në votim të projektligjit për Trustin, i iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, i parapriu një varg i gjatë thirrjesh nga opozita që ky ligj të votohej.

Lexo Edhe:

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje edhe paraprakisht kishte deklaruar se është kundër votimit të këtij projektligji, shkruan Reporteri.

Pavarësisht thirrjeve, këta të fundit nuk ndryshuan qëndrim. Një vendimi kolektiv të partive opozitare për ta kaluar në lexim të parë këtë projektligj, iu kundërvunë pikërisht deputetët e Vetëvendosjes, të përzgjedhurit e qytetarëve.

“Dëgjojeni kërkesën e popullit apo këshillën për unitet të plotë”, ishte thirrja e Bekim Haxhiut për deputetët e partisë në pushtet, që megjithatë ra në vesh të shurdhër.

Nga 97 deputetë të pranishëm në sallë që votuan për këtë projektligj, 42 nga ta votuan për, ndërsa 55 deputetët e pushtetit votuan kundër.

E kotë të thuhet se kjo zgjoi menjëherë reagimin e opozitës, me theks të veçantë të PDK’së, që me fanatizëm kërkuan votën e deputetëve për këtë projektligj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në reagimin e tij bëri një krahasim që nxerri partinë në pushtet si subjekt që vlerëson me standarde të dyfishta.

“Trust jo, Martin po”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Krasniqi tha se kryeministrit Kurti mungon sensi i empatisë me qytetarët e vendit pasi po hedh poshtë kërkesa të tilla të theksuara si kjo e Trustit.

“Në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre. Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”, tha Krasniqi.