44 vjet në shërbim të porsalindurve, rrëfimi i mamisë së QKUK-së - Gazeta Express
string(63) "44-vjet-ne-sherbim-te-porsalindurve-rrefimi-i-mamise-se-qkuk-se"

Lajme

Gazeta Express

05/05/2026 18:21

44 vjet në shërbim të porsalindurve, rrëfimi i mamisë së QKUK-së

Lajme

Gazeta Express

05/05/2026 18:21

Që e vogël, nga bankat shkollore, drejt në karrierën e saj. Një rrugëtim që nuk u ndal për asnjë çast, por u shndërrua në mision jete. Për 44 vjet me radhë, Hilmije Havolli nuk ka qenë vetëm një profesioniste në sallën e lindjes, por një dëshmi e gjallë e përkushtimit, sakrificës dhe dashurisë së pakushtëzuar për jetën që sapo nis, raporton KosovaPress.

Në Ditën Ndërkombëtare të mamive, rrëfimi i saj tregon ku gëzimi dhe dhimbja ndërthuren në mënyrën më të sinqertë. Ajo përshkruan ndjesinë e mbajtjes në duar të një të porsalinduri si një mrekulli që nuk zbehet kurrë, pavarësisht viteve apo lodhjes.

Havolli ndjehet e përmbushur me çdo gëzim që ka sjellë në jetë, por edhe çdo ligështi që ka kaluar me nënat.

Kryemamia, për KosovaPress rrëfen se në raste të rënda “mamitë vdesin para nënave”.

“Ne e kemi festë thuajse çdo ditë se vështirë ne bëjmë festa, se gjithmonë jemi këtu ku jemi dhe aty ku kërkohet. Eksperiencë kam 44 vite, për dy muaj do të pensionohem dhe jam shumë e lumtur për të gjitha këto vite, për eksperiencën, uroj të jenë të lumtura edhe të gjitha pacientet që kanë kaluar në duar të mia. Jam e përmbushur shumë shpirtërisht me to dhe çdo gëzim i tyre e kemi ndarë bashkë dhe çdo ligështi, për mos me thënë se në raste të rënda ndoshta kemi vdekur ne para tyre… Është një ndjenjë e mrekullueshme, duke u nisur prej asaj se edhe unë jam nënë. Por edhe lumturinë që e shoh tek secila nënë nuk ka moment më të lumtur në botë se të bëhesh nënë”, tha ajo.

Megjithatë, pas këtij misioni fisnik fshihen edhe sfidat e shumta me të cilat përballen mamitë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK çdo ditë.

Havolli, rrëfen se ka ndërtuar jetën brenda mureve të klinikës, aty ku u rrit profesionalisht e personalisht.

Për 44 vite punë, tash edhe dy muaj në fund të karrierës së saj, ajo ndihet e plotësuar.

“Karriera ime nuk është shumë e thjeshtë që po e përfundoj. Jam rritur këtu, kam ardhur nga bankat e shkollës dhe kam ecur nëpër krejt këto vite, pjekurinë e kam arritur këtu, jam bërë nënë, nuse, gjyshe, e kam kaluar një jetë të tërë këtu. E përmbushur plotësisht dhe mendoj se kam barë më të mirën për pacientet, koleget e klinikën. Jam përpjekur, nuk e di a ia kam dalur, ndihem shumë e plotësuar”, u shpreh ajo.

Në fund, mesazhi i saj për mamitë e reja, mbetet i thjeshtë, një thirrje për dashuri ndaj profesionit.

“Një mamie të re e kisha këshilluar, nëse e do punën vazhdoje, duaje, se ne i pranojmë pacientët e shëndoshë, ne japim vetëm gëzim. Me qenë shumë shpirtërisht e lidhur me profesionin”, tha Havolli.

5 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Mamive dhe fillimin e Javës së Infermierisë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement