Pas planit të NATO-s për të rritur ndjeshëm kapacitetet e mrojtjes ajrore dhe raketore, ka reaguar Kremlini, duke e cilësuar planin si konfrontues që do të rëndojë mbi xhepat e taksapaguesëve evropianë.
I pyetur për deklaratat e Mark Rutte, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj:
“(NATO) nuk është një instrument për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në kontinent. Është një mjet i krijuar për përballje, që deri tani e ka fshehur natyrën e vërtetë. Tani po e tregon hapur,” ka thënë ai, raporton Reuters.
Tutje Peskov ka shtuar se do të jenë qytetarët evropianë që do të vuajnë pasojat financiare.
“Taksapaguesit evropianë do të shpenzojnë paratë e tyre për të neutralizuar një kërcënim që, sipas tyre, vjen nga vendi ynë, por që në realitet nuk është gjë tjetër veçse një kërcënim i trilluar,” ka deklaruar ai.
Kujtojmë se, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të kërkojë rritjen e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare në 3.5% të PBB-së, si dhe një angazhim shtesë prej 1.5% për çështje të sigurisë më të gjera. Në fjalimin që do të mbajë në Londër, pritet që Rutte të theksojë nevojën për një rritje prej 400% të mbrojtjes ajrore dhe raketore të aleancës.
aaaaa