Autoritetet britanike liruan pas disa orësh arrestimi ish-Princin Andrew të Anglisë, që akuzohet për dosjen “Epstein”, në lidhje me abuzimet seksuale.
Kjo është edhe fotografia e parë pas arrestimit të Andrew, që u publikua të enjten vonë, pikërisht momenti kur ai del nga departamenti pas marrjes në pyetje.
Policia tha se ai ishte liruar, por hetimi ndaj tij nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike është duke vazhduar.
Princi i shtrirë, në foton e ‘Reuters’, është në një makinë dhe i shoqëruar nga policia, dukshëm i tronditur. Ai duket i rrëzuar në sediljen e tij, ndoshta për të shmangur kamerat dhe fotografët.

Ai qëndroi në paraburgim për 12 orë. Deri më tani nuk ka asnjë informacion nga policia se çfarë do të ndodhë më pas, megjithëse e dimë se akuzat ka të ngjarë të jenë të rënda dhe dënimi mund të arrijë edhe në burgim të përjetshëm.
Ish-princi britanik, Andrew Mountbatten Windsor është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim detyre, në ditën e tij të lindjes, pasi sot mbushte 66-vjeç.
Ngjarja vjen pasi “Thames Valley Police” njoftoi se po shqyrton një ankesë lidhur me pretendimet për shpërndarjen e materialeve konfidenciale nga ish-princi te i ndjeri, i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Policia thotë se ai është në paraburgim dhe oficerët po kryejnë kërkime në adresa në Berkshire dhe Norfolk.
“Si pjesë e hetimit, sot (19/2) kemi arrestuar një burrë rreth të gjashtëdhjetave nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës në zyrë, dhe po kryejmë kontrollime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë moment. Ne nuk do të zbulojmë emrin e të arrestuarit, sipas udhëzimeve kombëtare. Ju lutemi gjithashtu mbani mend që ky rast është aktualisht aktiv, prandaj duhet kujdes me çdo publikim për të shmangur shkeljen e gjykatës”, thuhet në njoftimin e policisë britanike, Thames Valley Police, sipas BBC.

Më vonë u mësua se bëhej fjalë për Andrew dhe u publikuan fotot e ndalimit të tij./Panorama.al

