Ish-gjykatësi kryesor i EULEX-it kërkesë për raportim para deputetëve për shkeljet e misionit, Express sjell dokumentin - Gazeta Express
string(117) "ish-gjykatesi-kryesor-i-eulexit-kerkese-per-raportim-para-deputeteve-per-shkeljet-e-misionit-express-sjell-dokumentin"

Ish-gjykatësi kryesor i EULEX-it kërkesë për raportim para deputetëve për shkeljet e misionit, Express sjell dokumentin

Arlena Krivenjeva

25/11/2020 11:15

Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, u ka nisur një letër deputetëve të Komisionit për Legjislacion me datë 16 korrik duke kërkuar që të raportojë lidhur me informacionet që ka për ndërhyrje në hetime, kërcënime të dëshmitarëve, manipulim të trupës gjykuese etj. Simmons thotë se krejt këto kanë ndodhur gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e EULEX-it. Gazeta Express ka siguruar dokumentin.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, është përcjellë me përplasje mes kreut të këtij Komisioni, Shkëmb Manaj, dhe deputetëve, që e kanë akuzuar atë se e ka mbajtur të fshehtë një letër të ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it drejtuar këtij Komisioni.

Lexo Edhe:

Kjo letër që ka arritur në korrik në Kuvend, sipas Manajt nuk është përcjellë nga administrata.

Gazeta Express ka siguruar letrën që Simmons e ka dërguar në Kuvend të Kosovës. Në këtë letër Simmons tregon për punën që ka bërë në EULEX, emërimin e tij dhe thotë se gjatë mandatit të tij ka qenë i njoftuar për këto shkelje.

“Gjatë mandatit tim si kryetar i gjykatësve të EULEX-it, u njoftova me shkelje serioze, përfshirë komisionin për shkelje kriminale, nga personat përgjegjës për administrimin e drejtësisë”, thotë ai.

Simmon shprehet i gatshëm të japë dëshmi për këto çështje derisa përmend disa shkelje që kanë ndodhur, sipas tij, si: ndërhyrje në hetime, kërcënime të dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të manipuluar trupat gjykuese, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje e provave, manipulim i provave, përpjekje për të penguar hetime etj.

Ai përmend edhe një takim që ka pasur me tash kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në Kosovë në vitin 2016.

“Më 10 nëntor 2016 u takova me Boris Johnsonin në Prishtinë. Në atë kohë ai ishte Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Mes tjerash, ne diskutuam shkurt për Dhomat e Specializuara të Kosovës. A ishte shumë shpërfillës ndaj Dhomave, qartazi duke besuar se ato do të jenë ndërtim politik. Ai i përshkroi Dhomat si “një gjykatë politike që i përkulet vullnetit të Brukselit dhe e mbushur me qëllim lajkatar të BE-së për mbushjen e xhepave të tyre”, thuhet në këtë letër.

Simmons thotë se është i gatshëm të deklarohet para Parlamentit të Kosovës për të gjitha çështjet që flet në letër, duke thënë se ka edhe prova. Ai thotë gjithashtu se është i gatshëm të japë edhe dëshminë e tij.

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ishte shprehur i gatshëm që të vijë në Kosovë për të dëshmuar parregullsi të mëdha të misionit, në veçanti në rastin “Drenica 2” edhe vite më parë.

Britaniku Malcolm Simmons, i cili ka qenë gjyqtari më i lartë i misionit që nga viti 2014, kishte deklaruar se ai kishte denoncuar disa raste të korrupsionit në zemër të misionit të EULEX-it dhe thoshte se EULEX ishte subjekt i ndërhyrjes politike. /GazetaExpress/