Zyrtarja e Komunës thotë se policia ka shpërndarë një numër personash që ia kishin mësyrë Gërmisë - Gazeta Express

Zyrtarja e Komunës thotë se policia ka shpërndarë një numër personash që ia kishin mësyrë Gërmisë

Lajme

Gazeta Express

08/04/2020 14:15

Drejtoresha në drejtorinë e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, ka thënë se sot një numër i qytetarëve nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve për mbylljen e parqeve publike, duke ia mësyrë Parkut të Gërmisë.

Hajdari ka thënë se këta qytetarë janë shpërndarë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Në Gërmi, fatkeqësisht ditën e sotme është vërejtur tendenca për të mos respektuar vendimet e institucioneve për mbylljen e të gjitha parqeve publike. Duke përdorur rrugët alternative, një numër i qytetarëve ia kanë mësyrë parkut. Falë intervenimit të shpejtë të patrullave të Policisë së Kosovës para pak minutash është bërë shpërndarja e tyre”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se askush nuk do të tolerohet që të thyejë rregullat e vendosura për mosgrumbullim në hapësira publike.

“Ekipet e Komunës së Prishtinës, Hortikulturës dhe Policisë së Kosovës janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe nuk do të tolerojnë askënd që nuk respekton vendimet për mosgrumbullim në hapësira publike”, ka thënë ajo. /GazetaExpress/