Nëse gjithçka shkon sipas planit të Barcelonës, Martin Braithwaite do ta kompletojë transferimin e tij nga Leganes te klubi katalonas gjatë orëve në vijim.
Sulmuesi danez është futbollisti që është zgjedhur nga Barcelona për ta zëvendësuar të lënduarin Ousmane Dembele, pasi që i është dhënë leja nga La Liga për ta transferuar një zëvendësues për francezin, transmeton Gazeta Express.
Agjenti i Braithwaite ka qenë në Barcelonë gjatë ditëve të fundit për ta negociuar transferimin potencial të sulmuesit në Camp Nou dhe të martën ai i kaloi disa orë në qendrën stërvitore të Barcelonës me drejtuesit e klubit, pasi që dëshironin të merreshin vesh edhe për detajet e fundit të marrëveshjes.
Tani, e vetmja gjë që mungon është nënshkrimi i kontratës nga ana e Leganes dhe pastaj klubi katalonas mund ta zyrtarizojë transferimin e Braithwaite.
Los Pepineros e kanë bërë të qartë se ata nuk do të jenë të gatshëm ta lejojnë largimin e Braithwaite nëse nuk iu lejohet edhe atyre ta sjellin një zëvendësues për lojtarin që po e kërkon Barcelona.
Për këtë arsye, Barcelona mund të detyrohet ta paguajë klauzolën për shkëputjen e kontratës së Braithwaite me Leganes, që është 20 milionë euro.
Trajneri Quique Setien kishte planifikuar ta ketë futbollistin në dispozicion për ndeshjet e fundjavës në Camp Nou kundër Eibarit.
Ndërkohë, përderisa klubet dhe agjenti i futbollistit po tentojnë ta arrijnë një marrëveshje, Braithwaite ka vazhduar të stërvitet me skuadrën e Leganesit. /Gazeta Express/