Ekziston një mundësi “50 me 50” që SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje të premten, sipas një zyrtari të lartë nga Gjiri, i njohur me bisedimet, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se një marrëveshje është e afërt.
Burimi nga Gjiri i tha CNN-it se delegacioni iranian nuk përfshin zërin e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të linjës së ashpër, të cilët do të duhej t’i miratonin detajet e një marrëveshjeje të përkohshme.
Trump pretendoi se zyrtarët amerikanë po zhvillonin “bisedime shumë të mira” me homologët iranianë, por njëkohësisht përsëriti kërcënimet se do ta “godiste” Iranin “shumë fort” nëse zyrtarët “tërhiqen sërish” nga një marrëveshje. Në komente të veçanta, ai gjithashtu la të kuptohej se një marrëveshje për ngushticën mund të arrihej që sot.
Çfarë thotë Irani? Deri më tani, Irani ka mohuar se bisedimet e vazhdueshme për paqen përfshijnë komunikim të drejtpërdrejtë me Washingtonin, duke këmbëngulur se zyrtarët po zhvillojnë bisedime vetëm me Omanin për të zgjidhur çështjet që lidhen me lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Disa diplomatë kanë deklaruar se zhbllokimi i kësaj rruge ujore – një mjet kyç presioni në negociata – mund t’i ringjallë diskutimet mes SHBA-së dhe Iranit.