Zyrtari më i lartë i administratës Trump për kundërterrorizëm ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke përmendur kundërshtimin ndaj luftës në Iran dhe duke i bërë thirrje presidentit të “ndryshojë kurs”.
Në një letër të publikuar në llogarinë e tij në X, drejtori i Qendrës Kombëtare për Kundërterrorizëm, Joe Kent, tha se Irani nuk paraqiste “asnjë kërcënim të menjëhershëm” për SHBA-në dhe pretendoi se administrata Trump “e filloi këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm amerikan”.
Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, bashkëshortja e të cilit, Shannon Kent, tekniciene kriptologjike e marinës, u vra në një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
BBC ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për koment mbi dorëheqjen e Kent.
Në letër, Kent — një kandidat republikan për Kongres nga shteti i Uashingtonit që ka dështuar dy herë — tha se deri në qershor 2025 ai besonte se “Trump e kishte kuptuar se luftërat në Lindjen e Mesme i kushtonin Amerikës jetët e çmuara të patriotëve tanë dhe dobësonin pasurinë dhe prosperitetin e vendit tonë.”
Gjithashtu, Kent pretendoi se “zyrtarë të lartë izraelitë” dhe gazetarë me ndikim në SHBA kishin përhapur “dezinformim” që e kishte shtyrë Trump të devijonte nga platforma e tij “America First”.
“Kjo jehonë u përdor për t’ju mashtruar duke ju bërë të besoni se Irani paraqiste një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara,” vazhdon letra. “Kjo ishte një gënjeshtër.”
Kent, një mbështetës i kahershëm i Trump, u konfirmua me një diferencë të ngushtë në këtë post në korrik të vitit të kaluar, ndërsa shumë demokratë kritikuan lidhjet e tij me grupe ekstremiste, përfshirë anëtarë të Proud Boys.
Gjatë seancës së konfirmimit, Kent gjithashtu refuzoi të tërhiqej nga pretendimet se agjentë federalë kishin nxitur trazirat e 6 janarit në Kapitol apo se Trump kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020.