Mediat shtetërore ruse kanë raportuar se zëvendës-presidenti i monopolistit shtetëror rus të tubacioneve të naftës, Transneft, Andrei Badalov, ka ndërruar jetë pas një rënie të dyshuar nga dritarja e banesës së tij në lagjen e pasur Rublyovka në Moskë.
Sipas The Moskow Times, Transneft ka konfirmuar vdekjen e 62-vjeçarit Badalov, por nuk ka komentuar për rrethanat e ngjarjes. Kompania ka theksuar se puna e tij ishte gjatë një periudhe të “vështirë dhe stresuese,” të shënuar nga sanksionet perëndimore.
Në anën tjetër, sipas agjencisë shtetërore TASS, trupi i Badalov është gjetur poshtë dritareve të një shtëpie.
“Shkaku paraprak i vdekjes është vetëvrasja,” ka thënë një burim për TASS, duke shtuar se kanë nisur hetimet.
Bëhet e ditur se Badalov kishte mbikëqyrur transformimin dixhital të Transneft që nga emërimi i tij në korrik 2021. Ndërkohë, vdekja e tij është rasti më i fundit në një seri vdekjesh të pazbuluara të zyrtarëve të lartë në sektorin energjetik rus.
Dihet se në vitin 2022, të paktën katër vdekje të pashpjeguara janë shënuar në lidhje me kompaninë shtetërore të energjisë Gazprom, ndërsa disa të tjera përfshinin drejtues nga Novatek dhe Lukoil.