Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, ato mbeten ende në fuqi. Disa masa kanë filluar të hiqen, por numri i tyre mbetet i kufizuar. Siç tha një zëdhënës i BE-së për KALLXO.com, deri më tani “janë ndërmarrë hapat e parë për heqjen e disa masave.”
Prej majit kur në Kosovë ishte shefja e BE-së, Kaja Kallas, në bazë të përgjigjeve të një zëdhënësi të BE-së, ka nisur heqja e masave që kanë të bëjnë me projektet e Asistencës Teknike, investimet në kuadër të Mekanizmit për Reformë dhe Rritje si dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
“Konkretisht, katër projekte të Asistencës Teknike, që mbështesin investime të mundshme në kuadër të Mekanizmit për Reformë dhe Rritje, janë paraqitur sërish në Bordin e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ëBIF) dhe janë miratuar më 28 korrik”- tha një zëdhënës i BE-së.
Një hap tjetër sipas Komisionit Europian, është se ka rifilluar puna e nën-komiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Komisioni Europian tërhoqi vëmendjen se hapat e ardhshëm do të varen nga ruajtja e de-përshkallëzimit të situatës në veri.
“Për këtë qëllim, mbajtja e zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse dhe paqësore, përfshirë edhe një proces të rregullt të transferimit të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve, do të ishte thelbësore.
Sidoqoftë, zëdhënësi i BE-së, rikujtoi që në dhjetor 2024, Këshilli Europian deklaroi se Bashkimi Europian do t’i heqë gradualisht masat, në përputhje me hapat e mëtejshëm që Kosova do të ndërmarrë për të ulur tensionet në veri.
Në lidhje me projektet të Asistencës Teknike, sipas të dhënave të BE-së, mbështetja financiare në kuadër të Instrumentit shpërndahet vetëm pas zbatimit me sukses të reformave nga përfituesit. Çdo përfitues duhet të përgatisë një Agjendë Reformash, e cila konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli.
Të paktën 50% e shumës totale (grante dhe kredi) janë në plan të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ëBIF). Shuma e mbetur e kredive do të kanalizohet në thesaret e përfituesve.
Ndërsa, sa i përket nën-komiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ato janë janë grupe të specializuara që monitorojnë dhe avancojnë bashkëpunimin BE-Ballkan Perëndimor në sektorë specifikë, duke mbuluar fusha si Drejtësia, Liria dhe Siguria, Tregtia, Mjedisi dhe Çështjet Ekonomike dhe Financiare.
Këto nënkomitete krijohen nga Komiteti i MSA-së, i cili në vetvete është një organ vartës i Këshillit të MSA-së, për të diskutuar çështje teknike dhe politike, për të shqyrtuar zbatimin e reformave dhe për të identifikuar mënyrat se si BE-ja mund të mbështesë përparimin e vendeve partnere drejt integrimit evropian.
Krerët e Kosovës vazhdimisht në çdo takim me personalitete të larta të cilët vijnë nga shtetet anëtare të BE-së, kanë kërkuar nga Bashkimi Europian dhe vendet anëtare që të heqin masat, duke i quajtur ato të padrejta.
Së fundmi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar edhe njëherë përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kësaj radhe, Osmani këtë kërkesë e bëri gjatë takimit me Kallasin në New York nën margjinat e takimeve në Javën e Lartë të Asamblesë të Kombeve të Bashkuara.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim. Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë”- tha ajo
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...