Real Madrid ka bërë të ditur sot arritjen e një marrëveshjeje me Liverpoolin për transferimin e mbrojtësit të djathtë anglez, Trent Alexander-Arnold. Lojtari do të jetë pjesë e klubit madrilen për gjashtë sezonet e ardhshme, nga 1 qershori 2025 deri më 30 qershor 2031.
26-vjeçari anglez i bashkohet “Los Blancos” pas një karriere të shkëlqyer me Liverpoolin, ku ka fituar nëntë trofe: 1 Ligë të Kampionëve, 1 Kupë Bote për Klube, 1 Superkupë Europe, 2 Premier League, 1 FA Cup, 2 Carabao Cup dhe 1 Superkupë të Anglisë.
I rritur dhe formuar në akademinë e Liverpoolit, Alexander-Arnold ka qenë pjesë e pandashme e “The Reds” që nga debutimi në ekipin e parë dhe është një prej mbrojtësve më kreativë dhe të suksesshëm të brezit të tij. Ai është gjithashtu pjesë e përfaqësueses angleze që nga viti 2018, me të cilën ka marrë pjesë në dy Kampionate Botërore (2018 dhe 2022) dhe në Euro 2024.
Në nivel individual, Alexander-Arnold është vlerësuar me çmime prestigjioze: një herë i përfshirë në FIFA FIFPro World 11 (2020), dy herë në formacionin e sezonit të UEFA Champions League (2018/19 dhe 2021/22), dhe tre herë në formacionin më të mirë të Premier League (2018/19, 2019/20 dhe 2021/22). Ai gjithashtu është shpallur lojtari i ri më i mirë i Premier League për sezonin 2019/20.
Alexander-Arnold do ta veshë fanellën e Real Madridit për herë të parë në Kupën e Botës për Klube, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara duke nisur nga 14 qershori. Klubi mbretëror e mirëpret mbrojtësin anglez, duke shpresuar që ai të shkëlqejë edhe në “Santiago Bernabéu”.