Zyrtare: Të gjitha ngjarjet sportive në Itali do të zhvillohen pa tifozë deri më 3 prill - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

04/03/2020 20:30

Zyrtare: Të gjitha ngjarjet sportive në Itali do të zhvillohen pa tifozë deri më 3 prill

Sport

Gazeta Express

04/03/2020 20:30

Qeveria e Italisë ka marrë vendim që të gjitha ngjarjet sportive në Itali të zhvillohen pa praninë e tifozëve deri më 3 prill, për shkak të koronavirusit.

Kjo vlen për të gjitha rajonet në Itali, përfshirë për ato që ende nuk janë goditur nga kjo sëmundje tejet ngjitëse, transmeton Gazeta Express.

Vendimi i qeverisë vjen pasi numri i rasteve pozitive me koronavirus në Itali u rrit në mbi 3.000, përfshirë 107 të vdekur.

Qeveria italiane po ashtu i obligon klubet që të bëjnë kontrolle të rregullta për t’u siguruar se asnjëri prej atletëve apo anëtarët e stafit të tyre nuk kanë koronavirus.

Shkollat dhe universitetet nëpër vend janë mbyllur deri të paktën më 15 mars, edhe pse mbyllja e tyre mund të vazhdojë edhe pas kësaj date.

Tanimë është pothuajse e sigurt që zhvillimi i ndeshjeve të Serie A do të vazhdojë aty ku ka mbetur, pra gjashtë ndeshjet e shtyra të javës së 26-të, do të luhen këtë javë në vend të ndeshjeve të javës së 27-të.

Kjo nënkupton se derbi italian mes Juventusit dhe Interit, si dhe ndeshjet tjera si Milan-Genoa do të luhen këtë fundjavë, ndërsa java e 27-të do të zhvendoset për javën tjetër dhe kështu më radhë.

Kjo nuk është ende zyrtare, megjithatë, për shkak se në takimin e sotëm të Serie A nuk pati mjaftueshëm pjesëmarrës për votim të vlefshëm. /Gazeta Express/