Zyrtare: Shqipëria aranzhon tjetër ndeshje miqësore për muajin mars


Gazeta Express
14 Shkurt 2020 11:16

Përveç ndeshjes kundër Sllovenisë më 30 mars, tani është bërë e ditur se ekipi kombëtar i Shqipërisë do ta zhvillojë edhe një ndeshje miqësore kundër San Marinos gjatë muajit mars.

Faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të San Marinos e ka konfirmuar se ekipi i tyre kombëtar do të përballet me Shqipërinë në stadiumin San Marino më 27 mars, përderisa më vonë do ta presë edhe Letoninë (31 mars), transmeton Gazeta Express.

Ora e fillimit të kësaj ndeshjeje mes Shqipërisë dhe San Marinos nuk është përcaktuar ende, pasi që për të pritet ende të arrijnë marrëveshje dy Federatat e Futbollit të përfshira.

Kjo ndeshje vjen brenda orarit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare të FIFA-s, që do të thotë se ajo ka vlerë më të madhe për radhitjen botërore të FIFA-S sesa ndeshja e Kosovës kundër Suedisë që u mbajt në janar në Katar.

Ndërkohë, gjatë muajit mars, kur Shqipëria do t’i zhvillojë ndeshjet kundër Sllovenisë dhe San Marinos, disa kombëtare të tjera, përfshirë këtu edhe Kosovën, do të tentojnë ta sigurojnë kualifikimin në EURO 2020 përmes play-offs.

Shqipëria e ka të sigurt se s’do të marrë pjesë në këtë Kampionat Evropian, pasi që u radhit në vendin e katërt në Grupin H kualifikues, nga ku e zunë një vend në EURO Franca dhe Turqia.

Skuadra e Edi Rejës nuk ka fituar as vend në play-offs kualifikues për EURO 2020 pasi që ishte radhitur e treta nga po aq ekipe garuese në Grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve, ku duhej të ishte lidere për të marrë pjesë në play-offs. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart