Bayern Munich ka nisur zyrtarisht serinë e rinovimeve të kontratave, duke konfirmuar të enjten se Serge Gnabry ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare me klubin. Sulmuesi gjerman do të largohej si lojtar i lirë në verë, por ka vendosur të vazhdojë aventurën në “Allianz Arena”.
30-vjeçari ka qenë në formë të mirë këtë sezon, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në fazën e parë të kampionatit dhe duke mbuluar edhe rolin e numrit 10 gjatë mungesës së Jamal Musialës. Pas një sezoni të kaluar jo bindës, Gnabry ka rikthyer besimin e klubit dhe trajnerit.
Sipas raportimeve, ish-lojtari i Arsenalit ka pranuar ulje page për të nënshkruar kontratën e re. Përvoja, fleksibiliteti taktik dhe roli i tij si lider në dhomat e zhveshjes ishin vendimtare për Bayern, sidomos pas largimeve të disa emrave me peshë në repartin ofensiv.
Me këtë rinovim, Gnabry pritet të plotësojë 10 vite te Bayern Munich, duke mbetur një figurë e rëndësishme për “Die Roten” edhe në sezonet e ardhshme. /GazetaExpress