Thomas Muller ka nënshkruar kontratë të re me Bayern Munichun. Kjo kontratë e re do ta mbajë fituesin e Kupës së Botës në Allianz Arena të paktën deri në vitin 2023, duke u dhënë kështu fund spekulimeve për të ardhmen e tij.
E ardhmja e Thomas Mullerit ishte vënë në dyshim në mesin e shumë spekulimeve që nisën për transferime të mundshme të 30-vjeçarit që nga fillimi i këtij sezoni 2019/20, transmeton Gazeta Express.
Pasi e kishte humbur vendin si titullar i rregullt te kampioni në fuqi i Gjermanisë nën trajnerin Niko Kovac, për gjermanin thuhej se ai do të vendosë ta vazhdojë karrierën e tij me një klub tjetër.
Megjithatë, tani ai e ka rifituar vendin e tij në formacionin e parë, pasi që trajneri i ri Hansi Flick i beson përvojës dhe cilësisë së tij. Kjo ka bërë që Muller ta fitojë edhe një kontratë të re.
✍️ @esmuellert_ has extended his contract with #FCBayern until 2023.#Müllered2023 pic.twitter.com/Aq0IRsZ2qj
— FC Bayern English (@FCBayernEN) April 7, 2020
Muller ka luajtur vetëm për Bayern Munichun gjatë gjithë karrierës së tij. Gjatë kësaj periudhe, bavarezi i ka bërë gjithsej 521 paraqitje në ndeshje zyrtare për Bayernin, duke i regjistruar 195 gola. /Gazeta Express/