Legjenda e futbollit kroat, Luka Modrić, është zyrtarisht lojtar i Milanit, pasi ka firmosur si lojtar i lirë një kontratë njëvjeçare me mundësi rinovimi deri në verën e vitit 2027.
Mesfushori kroat kishte arritur marrëveshje për kushtet personale muajin e kaluar, por priti deri në përfundimin e angazhimeve të tij në Kupën e Botës për Klube me Real Madridin për të finalizuar transferimin.
Modrić mbërriti këtë mëngjes në Milano për të kryer testet mjekësore me klubin dhe autoritetet lokale, përpara se të vendoste firmën në kontratë.
Ai do të mbajë fanellën me numrin 14 në San Siro.
Modrić mbush 40 vjeç në shtator, por është ende një figurë e respektuar dhe në formë në nivelin më të lartë të futbollit. Me 188 ndeshje me kombëtaren e Kroacisë dhe 597 ndeshje zyrtare me Real Madridin gjatë 13 viteve të lavdishme në Spanjë, ai është një nga mesfushorët më të mëdhenj të kohës moderne.
Gjatë karrierës së tij me Real Madridin, ai fitoi:
6 Champions League
4 La Liga
5 Kupa të Botës për Klube
5 Superkupa të Europës
2 Copa del Rey
5 Superkupa të Spanjës
Topin e Artë në vitin 2018
Milani bëhet klubi i katërt në karrierën e Modrić pas Dinamo Zagrebit, Tottenham Hotspur dhe Real Madridit.
Sipas Zvonimir Boban, bashkatdhetari dhe ish-lojtari legjendar i Milanit, Modrić ka qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri, dhe sapo iu dha mundësia për t’iu bashkuar “Rossonerëve”, nuk hezitoi aspak.
Ky transferim jo vetëm që shton përvojë të jashtëzakonshme në mesfushën e Milanit, por edhe ngre entuziazmin mes tifozëve, të cilët presin të shohin një ikonë të vërtetë në fanelën kuqezi./GazetaExpress/