Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, se më 22 maj 2025 do të zhvillohet në Bruksel Konferenca e Pestë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Lajmi u bë publik në kuadër të Ditës së Europës, ku Rama theksoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke konfirmuar hapjen e një grupkapitulli të ri dhe duke shprehur bindjen për përparimin e mëtejshëm të vendit në këtë proces.
“SOT në DITËN e EUROPËS Bashkimi Europian konfirmon ritmin e shpejtë të anëtarësimit të Shqipërisë në Familjen e Bashkuar Europiane dhe zyrtarizon çeljen e negociatave për Grupkapitujt 3 – “Konkurueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke lajmëruar mbajtjen e Konferencës së Pestë Ndërqeveritare me Shqipërinë më 22 Maj 2025, në Bruksel. Tanimë kemi hapur 24 kapituj dhe mbeten për t’u hapur edhe 11 të tjerë, me punë e shpresë brenda 2025Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë dot më fatin europian të shqiptarëve”, shkruan Rama.